E Shtunë, 31 Tetor 2026

“E vrara djalin me sëpatë se na keqtrajtonte”

72-vjeçari Njazi Kromollari tregon se djali i tij ishte i alkoolizuar dhe ushtronte gjithnjë dhunë mbi familjarët

Pogradec Konfliktet në një familje në fshatin Vërdovë të Pogradecit kanë çuar në një krim të rëndë, pasi babai ka qëlluar për vdekje djalin e tij. Babai i moshuar ka vrarë me sëpatë pas një grindjeje djalin e tij 25-vjeçar me të cilin jetonte në një shtëpi. Në fakt, sipas rrëfimit të 72-vjeçarit, ai ka dashur t’i japë fund keqtrajtimeve që i bënte i biri sa herë që vinte në shtëpi i dehur.

Grindja

Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë së Pogradecit, mësohet se krimi ka ndodhur rreth orës 15.30 të ditës së djeshme në fshatin Vërdovë, rreth 6 kilometra larg qytetit të Pogradecit. Njazi Kromollari 72- vjeçar, i arrestuar pak momente pas vrasjes nga policia, është autori i dyshuar i tij. Viktima e identifikuar është shtetasi Kudret Kromollari, 25 vjeç, i cili ka shkuar në shtëpi në gjendje të dehur dhe ka dashur të keqtrajtojë fizikisht babanë e tij. Sipas të dhënave nga vendngjarja, mësohet se viktima ishte një përdorues i rregullt i alkoolit, ndërsa në mënyrë të vazhdueshme krijonte konflikte në shtëpi me familjarët e tij. 25-vjeçari jetonte në të njëjtën banesë me prindërit e tij, por në hyrje më vete. Duke parë gjendjen e të birit, i moshuari kishte vendosur t’i linte një hapësirë të shtëpisë për të mos qenë bashkë me të. Por kjo nuk e pengonte 25-vjeçarin, që kishte krijuar familje pak kohë më parë, të vazhdonte të rrihte prindërit në sy të të shoqes, madje duke bërë të njëjtën gjë edhe me këtë të fundit. E njëjta situatë është përsëritur edhe gjatë të shtunës. Viktima është kthyer në shtëpi dhe ka filluar të grindet me të atin. Madje ka dashur ta rrahë atë. Ky i fundit ka vendosur t’i japë një mësim, por pa e menduar se do të çonte drejt fundit tragjik. Babai ka rrëmbyer një sëpatë që e kishte në oborrin e shtëpisë dhe pa e bërë të gjatë, ka qëlluar mbi të në pjesën e kokës. Goditja ka qenë fatale, ndërsa ajo është shoqëruar dhe me disa të tjera. Kudret Kromollari ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa nëna e tij dhe e shoqja janë përpjekur ta ndalin 72-vjeçarin në krimin e tij.

Arrestimi

Policia e Pogradecit ka shkuar në vendngjarje kur krimi kishte përfunduar, ndërsa ka bërë të mundur arrestimin e autorit të saj të moshuar. Njazi Kromollari pas arrestimit ka pranuar që e ka vrarë të birin, madje i ka rrëfyer policisë shenjat e dhunës që kishte në trup nga keqtrajtimin që i bënte ai. Policia pas arrestimit të autorit të ngjarjes ka nisur hetimet për t’i shkuar asaj deri në fund. Trupi i viktimës është transportuar pa jetë në spitalin e Pogradecit, ku do t’u nënshtrohet procedurave ligjore të autopsisë. Krimi brenda familjes është një fenomen që në qarkun e Korçës po merr përmasa. Vetëm pak kohë më parë një nga ngjarjet më barbare ka ndodhur në Korçë, ku një tjetër i moshuar 78-vjeçar ka masakruar po me sëpatë një grua 42-vjeçare, me të cilën bashkëjetonte prej disa kohësh. Bëhet fjalë për Gaqo Dumkën që masakroi Liljana Arapin, koka e të cilës nuk mundi të gjendej veçse pjesërisht nga policia lokale, bashkë me disa pjesë të trupit të saj të hedhura në plehra. Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›