Motrat e sëmura vazhdojnë të qëndrojnë të lidhura me zinxhir
Dy vjet pas skandalit, dy motrat Thëllënxa dhe Fidane Keshi nga një fshat i Peshkopisë, nuk janë vizituar dhe vazhdojnë të jetojnë në të njëjtat kushte të vështira
PESHKOPI Edhe pse kanë kaluar dy vjet, kur pamjet e dy motrave të sëmura mendore, Thëllënxa dhe Fidane Keshi, të lidhura me zinxhir, bënë xhiron e botës, edhe sot asgjë nuk ka ndryshuar nga ajo pamje. Familja vazhdon të jetë në të njëjtën situatë ekonomike, ndërsa për vajzat e sëmura nuk është interesuar asnjë. Në fakt përveç dy muajve që ato qëndruan së spitalin psikiatrik të Shkodrës, më pas u rikthyen sërish në fshatin e tyre të lindjes në Bllatë të Maqellarës. Madje, askush nuk është kujtuar për fatin e tyre e jo më t’u vinte në ndihmë për t’ua bërë jetën paksa më të lehtë. Ndërsa Dine Keshi, i ati i tyre tashmë në moshën 74-vjeçare, e ka të pamundur që t’i mbajë ato për shkak të varfërisë së madhe si dhe frikës se mos vajzat bëhen agresive.
Situata
Në fshatin Bllatë e Poshtme të komunës Maqellarë dy motrat, përkatësisht 47 e 49- vjeçare, vazhdojnë të jetojnë të lidhura prej 24 vjetësh, si të ishin kafshë e jo qenie njerëzore. Të dyja motrat janë lidhur që në moshë të re me zinxhirë nga babai, me pretendimin se ato përbënin rrezik për familjarët, banorët e fisit dhe të fshatit Bllatë e Poshtme. Thëllënxa dhe Fidane Keshi mbahen të lidhura nga babai i tyre Dine Keshi. Babai i vajzave të keqtrajtuar prej kaq shumë vitesh është përpjekur të justifikohet para efektivave të policisë dhe specialistëve të shëndetësisë, se vajzat e tij janë sëmurë prej më shumë se 22 vitesh dhe se ai nuk ka patur mundësi ekonomike t’i kurojë apo t’i dërgojë në ndonjë spital psikiatrik. “Vajzat e mia janë agresive dhe përbënin rrezik të madh për banorët, ndaj jam detyruar t’i lidh. Ato vuajnë nga problemet mendore, por janë mjekuar vetëm vjeshtën e vitit 2009, atëherë kur mediat bënë publik lajmin e rëndë”, pohon ai.
Në tetor të vitit 2009 dy vajzat u dërguan për kurim në spitalin psikiatrik të Shkodrës. Qëndruan për afro dy muaj në spital dhe pastaj u dërguan përsëri në fshatin e lindjes. Ashtu si 24 vjet më parë, ato mbahen të lidhura nga babai i tyre. Madje, ato “fitojnë lirinë” vetëm kur të gjithë pjesëtarët e familjes janë në shtëpi. Ditët e fundit, kohë kur familjarët angazhohen me punët e tyre të stinës, vajzat lidhen dhe lihen të vetme në shtëpi.
Procedimi
Në atë kohë, dy vjet më parë policia ka bërë kallëzim penal në prokurori, duke çuar për ndjekje penale me akuzën e "heqjes së paligjshme të lirisë", babanë Dine Keshi, që mbajti dy vajzat e tij të lidhura me zinxhirë. Policia, pas publikimit të skandalit në media, shkoi në Bllatë, në banesën e familjes Keshi, ku në prani edhe të mediave konstatoi se dy motrat mbaheshin të lidhura me zinxhirë. Përveçse të lidhura, motrat skizofrene jetonin në kushte skandaloze, në një shtëpi-kasolle pa shtrojë e mbulojë. P. HASA