Transportonte klandestinë, në pranga taksisti

GJIROKASTËR/ Josif Beqiraj do të përfitonte 8 000 euro nëse do të kalonte 5 shtetas në vendin fqinj
GJIROKASTËR- Do të përfitonte shumën e 8 mijë eurove me kalimin e paligjshëm të 5 klandestinëve, por përfundon në pranga taksisti. 3 femra, një fëmijë dhe një burrë do të transportoheshin ilegalisht drejt Greqisë me ndihmën e disa personave.
Kanë qenë informacionet e mbërritura në rrugë operative ato që kanë dhënë sinjalizimet e para për këtë rast trafiku të qenieve njerëzore nëpërmjet kufirit tokësor. Informacionet tregonin se një automjet tip "Benz" që lëvizte nga Fieri në drejtim të Kakavijës, po transportonte disa shtetas, të cilët donin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.
Mbi bazën e tyre, specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar kanë organizuar operacionin për bllokimin dhe rreth mesnatës, pas konstatimit të automjetit në afërsi të fshatit Jorgucat janë vënë në ndjekje të tij, duke kërkuar edhe ndihmën e shërbimeve të Policisë Kufitare të Kakavijës, të cilat menjëherë ngritën një postobllok në afërsi të këtij vendkalimi kufitar.
Burime zyrtare të policisë kanë pohuar se në momentin kur automjeti është afruar dhe ka parë postbllokun e policisë kufitare, si dhe ka konstatuar se po e ndiqnin edhe forca të tjera të policisë, ka devijuar rrugën, duke u futur në një rrugë qorre poshtë Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, por pa mundur të largohet, pasi është bllokuar nga Specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar. Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se në të ndodheshin 3 femra, një fëmijë dhe një burrë si dhe drejtuesi i automjetit.
Pas deklarimeve të bëra në polici nga klandestinët dhe hetimet e mëtejshme ka rezultuar se shtetasi Josif Beqiraj, 62 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Metoq Sarandë, i cili drejtonte automjetin tip "Benz" me targa SR 5407 B dhe lëvizte nga Fieri për në Athinë, do të ndihmonte 5 klandestinët nga rrethet Berat, Fier e Lushnjë për të kaluar kufirin për në Greqi në mënyrë të paligjshme kundrejt shumave 1600 - 2000 euro/person. Tre femrat kanë deklaruar se në Greqi i prisnin bashkëshortët e tyre, që jetojnë atje.
Ndërkaq, mësohet se 62-vjeçari me profesion taksist në linjën Fier- Athinë do t'i kalonte këta shtetas për të kaluar kufirin, duke përdorur dokumente të falsifikuara të siguruara prej tij në Greqi dhe si rrugë kalimi do të përdorte Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, nëpërmjet doganës.