Trashëgimia arkeologjike, drejt zhvillimit të turizmit kulturor
të infrastrukturës, të cilat kalojnë ose prekin zona me potencial të lartë arkeologjik. Në raste të tilla vëmendja e ekspertëve dhe roli i tyre nëpërmjet aplikimit të metodave të arkeologjisë preventive në kohën e duhur, garanton ruajtjen e trashëgimisë përmes zgjidhjeve alternative, të cilat nuk pengojnë zhvillimin infrastrukturor. Rasti më i freskët është projekti i rikonstruksionit të Segmentit Rrugor Kanali i Cukës-Butrint, financuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve (DPRR) në funksion të përmirësimit të lëvizjes drejt një prej qendrave më të vizitueshme të turizmit kulturor, atij të Parkut Kombëtar të Butrintit. Sipas drejtorit të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik z. Roland Olli, fluksi i madh i mjeteve, kryesisht në sezonin turistik, mungesa e elementëve të sigurisë në rrugën prej 13.5 km dhe mosplotësimi i kushteve për të ofruar dy kalime (gjerësia e asfaltuar e rrugës së vjetër varionte nga 4.5-5 m), i dhanë shkas hartimit të projektit të rikonstruksionit të rrugës. Segmenti rrugor prej Urës së Çukës deri në sheshin përpara hyrjes për në qytetin antik të Butrintit është i gjatë 13,5 km. Tre kilometrat e fundit të rrugës shtrihen në territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit. Aktualisht, punimet vazhdojnë në të gjithë gjatësinë e rrugës me përjashtim të disa pjesëve ku projekti ka pësuar ndryshime. Ndërhyrja e arkeologjisë preventive (parandaluese) në këtë projekt infrastrukturor e trajton këtë të fundit në total, duke qenë se ai kalon në zona të nxehta arkeologjike dhe në mënyrë më specifike 3 km e fundit të këtij segmenti, që shtrihen brenda territorit të Parkut Kombëtar të Butrintit, pohon ai. Ndërkohë që procedura që ndiqet në këto raste është gjithmonë në zbatim të Ligjit të Trashëgimisë Kulturore. Në mbështetje të ligjit Për Trashëgiminë Kulturore, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, pezulloi fillimin e punimeve dhe vendosi që të kryhej më parë vëzhgimi intensiv arkeologjik i segmentit rrugor Kanali i Çukës-Butrint nga një grup pune i përbërë prej specialistëve. Gjatë vëzhgimit intensiv arkeologjik të realizuar në terren, u identifikuan katër zona me potencial arkeologjik. Në to përfshiheshin gjurmë të një kulle të antikitetit të vonë, struktura pranë Murit të Demës të zbuluara gjatë punimeve për hapjen e ujësjellësit të Ksamilit, gjurmë të një varri antik pranë Kullës së Vrojtimit (e periudhës Veneciane), si dhe struktura të reja muresh në disa zona, pohon Olli. Ndërkaq që për të siguruar mbrojtjen dhe paprekshmërinë e këtyre siteve të reja gjatë zbatimit të projektit të rrugës, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA) kërkoi ndryshimin e projektit, kërkesa të cilat u miratuan. Realizimi i projekteve të tilla të infrastrukturës në zona me një potencial të lartë të trashëgimisë arkeologjike është një domosdoshmëri, duke qenë se ato kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e vizitueshmërisë.
Restaurohen banesat monument kulture në Berat
Rritja e numrit të vizitorëve nga viti në vit, ka bërë që pronarët e banesave në lagjet "Mangalem", "Goricë" e "Kala" në qytetin e Beratit të kujdesen më shumë për këto banesa. Tri banesa karakteristike, të shpallura monument kulture të kategorisë së dytë, janë duke u restauruar në lagjet "Mangalem" e "Goricë". Përfshirja e qytetit të Beratit në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s, ka rikthyer shpresat tek qytetarët që jetojnë në lagjet muzeale për zhvillimin e turizmit kulturor dhe historik. Disa prej pronarëve të tyre, tashmë janë rikthyer dhe kanë kërkuar që të restaurojnë banesat për t'i vënë ato në shërbim të vizitorëve të shumtë që vizitojnë këtë qytet. Punimet ndiqen nga afër nga specialistët dhe po kryhen konform rregullave, duke ju përshtatur, si ndërtimit me gurë dhe dërrasa, ashtu edhe formës së tyre. Restaurimi i banesave synon që të afrojë më tepër vëmendjen e vizitorëve në këtë qytet, çka ka bërë që qytetarët të kërkojnë t'i vënë ato në shërbim të turizmit kulturor e historik.
Inis Gjoni dhe Artan Imami prezantojnë Miss Shqipëria 2010
Edicioni i 12-të i konkursit Miss Shqipëria 2010 të organizuar nga Petri Bozo sjell këtë vit dy emra të njohur si prezantues. Konkursi që do të zhvillohet në Kalanë e Gjirokastrës do të prezantohet nga Inis Gjoni dhe Artan Imami. Në mbrëmjen e 1 korrikut, 32 vajza të përzgjedhura nga 450 pretendente të paraqitura në zyrat e Deliart Association do të garojnë për më të bukurën. Grupi organizator se bashku me pretendentet është vendosur prej ditësh në qytetin e gurtë. Siç dihet tashmë, para konkursit vajzat janë pjesë e një turi, i cili këtë vit ka filluar në Jugun e bukur shqiptar. Por krahas kësaj stafi ka filluar ngritjen e skenës dhe mbylljen e detajeve të fundit të spektaklit të madh, i cili duket se sivjet do të ketë shumë surpriza. Përveç këngëtarëve nga Italia dhe Greqia, të ftuar posaçërisht nga Bozo, emra të njohur shqiptarë do ti shtojnë ritmin spektaklit. Eranda Libohova, mike e vjetër e këtij eventi, vëllezërit korçarë Endri dhe Stefi Prifit, Orinda Huta e Gerta Heta do të vijnë para publikut.
Out of touch, në fillim të vjeshtës premierë
Kineasti dhe regjisori Andi Deliana ka përfunduar filmin Out of touch (Shkëputje nga realiteti). Filmi ndodhet në procesin përfundimtar të montazhit në Los Anxhelos. Montazhier i tij është Randy Vandegrift, që është edhe një ndër producentët kryesorë të filmit. Besohet se në fillim të vjeshtës filmi do të jetë gati për premiere në Tiranë, New York, Los Angeles dhe më pas edhe në vende të tjera. Financimet kryesore të filmit janë realizuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike Shqiptare. Po kështu, filmi ka fituar një donacion edhe nga Organizata South East European Cinema Network. Në këtë organizatë ku bëjnë pjesë 11 shtete ballkanike bën pjesë edhe Shqipëria, e cila financon dhe ndihmon projekte të tilla të shteteve pjesëmarrëse. Po ashtu në realizmin e filmit kanë ndihmuar dhe producentët në SHBA, Randy Vandegrift që është edhe montazhieri i filmit, si dhe Peter Orphanos.