E Diel, 1 Nëntor 2026

Trashëgimia nënujore, thesari i pazbuluar shqiptar

Autori i Lajmit: Fatiola Kurteshi
Vlerat e trashëgimisë arkeologjike nënujore shqiptare, mjaft interesante, por shumë pak të zbuluara si pjesë të thesarit tonë kulturor, u prezantuan të hënën, për herë të parë në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, në kuadër të Ditës së Trashëgimisë Kulturore Europiane. Gjatë konferencës me temë “Trashëgimia nënujore, potencial i rëndësishëm në zhvillimin e turizmit kulturor”, ministri Pango u ndal në Ditët të Trashëgimisë Kulturore Evropiane, si një aktivitet, që zhvillohet nga të gjitha vendet e Evropës, nën patronazhin e Këshillit të Evropës, për të ruajtur dhe promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore, për të rritur ndërgjegjësimin publik për potencialet reale që paraqet kjo trashëgimi. “Paralelisht, në të gjithë Shqipërinë, më 29 shtator, festohet dhe Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore. Me këtë rast, Ministria, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës ka nxjerrë rreth 23.000 kartolina promovuese të 9 destinacioneve kulturore dhe turistike, të cilat do të shpërndahen në të gjithë vendin", - tha Pango. Sipas tij, synohet njohja, promovimi, mbrojtja, identifikimi i trashëgimisë së pasur kulturore në përgjithësi, dhe asaj nënujore në veçanti, bashkë me sensibilizimin e njerëzve në ruajtjen dhe përhapjen e këtyre vlerave. “Kjo fushatë do të ndihmojë edhe në zbulimin e kësaj pjese pak të njohur, por shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare", - tha ministri Pango, i cili duke u ndalur në punën e bërë, theksoi edhe se "të gjitha arritjet e Ministrisë që unë përfaqësoj janë arritjet e jashtëzakonshme të tre vjetëve të qeverisë Berisha, të cilat janë të prekshme, nuk mohohen dot". Qëllimi i "Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore" është ruajtja dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore, si pjesë e integruar e trashëgimisë evropiane, ndërsa synohet rritja e ndërgjegjësimit të publikut për potencialet që paraqet trashëgimia kulturore. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të organizojë sot një sërë aktivitetesh që përkojnë dhe me aktivitetet që organizohen çdo vit në vendet evropiane në muajin shtator, në Ditët e Trashëgimisë Kulturore Evropiane. "Ditët e Trashëgimisë Kulturore Evropiane" si veprimtari kulturore, zhvillohen që nga viti 1997, ndërsa nën patronazhin e Këshillit të Evropës, ka hyrë në traditën e veprimtarive vjetore të Ministrisë së Kulturës.
Ky lajm është publikuar: 30/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›