Muzeu historik prezanton rrugën e zhvillimit urban të qytetit
Autori i Lajmit: red.
Qytetërimi i hershëm i Fierit, rruga e gjatë e zhvillimit, vlerat dhe pasuritë e krijuara në shekuj, u prezantuan sot përmes një ekspozite të organizuar nga Muzeu Historik i qytetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Artit dhe Kulturës dhe Shkollën e Mesme “Janaq Kilica. Gjatë kësaj veprimtarie, e cila zhvillohet në kuadrin e "Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore", u vu në dukje se qyteti i Fierit është kryeqendra e qytetërimit të trevës së Myzeqesë dhe se aty bashkëjetojnë në harmoni dhe miqësi të plotë disa komunitete. "Kjo bashkëjetesë u jep vlerave të trashëgimisë kulturore të kësaj treve përmasa edhe më të mëdha. Megjithëse i themeluar si njësi e zhvilluar urbane në vitin 1864, të dhënat e qytetërimit të Fierit datojnë më herët, rreth vitit 1783", - tha drejtori i Muzeut Historik, Mariglen Panda. Gjatë një prononcimi, drejtori Panda theksoi se qëllimi i kësaj ekspozite është jo vetëm ruajtja e kësaj pasurie, por edhe njohja e saj nga brezat e sotëm. "Fieri ka një trashëgimi mjaft të pasur, duke filluar nga monumentet e antikitetit, deri në vlerat e krijuara në ditët e sotme. Kjo pasuri reflektohet në larminë e veshjeve popullore, në prodhimet e shumta artizanale, në punimet e shumta artistike, në ndërtimet inxhinierike në vite, deri te arkitektura dhe mobilimi i banesave nga vetë mjeshtërit popullorë", - tha ai. Në trevën e Fierit bashkëjetojnë në harmoni komuniteti çam, kosovar, mallakastriot, lab e myzeqar, të cilët me traditat, zakonet, veshjet dhe prodhimet e tyre artizanale e bëjnë dhe më të pasur dhe të larmishme kulturën e kësaj zone. Në përgatitjen e ekspozitës së këtij viti bashkëpunuan të rinjtë e gjimnazit “Janaq Kilica“, me stendë të veçantë me punime dore të bëra nga vetë ata.
Ky lajm është publikuar: 30/09/2008