E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Trashëgimtarët", Dëshmitarët: Ja si u themelua PS

Një rrëfim nga dëshmitarët për transformimin e PPSH-së në PS, ecejaket dhe rruga deri në ditët tona. Ky është thelbi i librit studimor të Luljeta Prognit, me titull "Trashëgimtarët", që vjen nën siglën e "UET Press". Më poshtë një intervistë e autores, për figurat, emrat dhe historitë.
Pse e titulloni librin tuaj "Trashëgim-tarët", çfarë domethënieje ka?
"Trashëgimtarët" nuk është një titull metaforik apo mediatik, por një epitet që sipas studimit e përshkruan shumë qartë elitën politike të Shqipërisë në vitet pas rrëzimit të sistemit monopartiak, një epitet i përgjithshëm që përbën edhe thelbin e librit. Libri është një studim, që lidhet me një moment mjaft të rëndësishëm historik, siç është rrëzimi i sistemit komunist në Shqipëri, pasojë e të cilit ishte edhe ristrukturimi i PPSH-së dhe fillimisht emërtimi i saj në Partia Socialiste e Shqipërisë. Një pjesë e rëndësishme e saj u shndërrua brenda një nate në Partinë Socialiste, në kushte të reja, në skenën e pluralizmit politik. Lidershipi i PS-së vinte nga një përvojë që lidhej drejtpërdrejt me elitën e PPSH-së. Në kushtet kur një popull i tërë, klasa intelektuale dhe gjithë aktorët e tjerë të shoqërisë kishin një histori relativisht të gjatë në diktaturë, nuk kishte asnjë mundësi reale që elita politike të mos ishte "puniste". Vështirë të pretendohet të kishte në qarkullim ideologji socialdemokrate, kristiandemokrate etj. Të gjithë e kanë një histori, askush nuk vjen nga hiçi. Titulli i librit është gjithë konkluzioni i studimit me një fjalë të vetme "Trashëgimtarët".
Në hyrje të librit ju keni vënë një citim nga George Orwell. Është vetëm për Partinë Socialiste?
Jo, nuk vlen vetëm për PS-në. Elita politike e vitit '90, e formuar më tepër si pasojë e rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri, dominohet kryesisht nga intelektualë të kohës, shumica e të cilëve mund të konsideroheshin të "përkëdhelurit" e sistemit. Kjo nuk do të thotë, se ata nuk kishin merita si intelektualë, por përveç tyre në Shqipëri kishte edhe të tjerë me po kaq vlera intelektuale apo kontribute të tjera, vetëm se "fati" nuk i kishte bërë pjesë të nomenklaturës, qoftë edhe e largët. Për të ilustruar këtë, po citoj një pjesë nga intervista e njërit prej protagonistëve të viteve '90, themelues i PD-së Neritan Ceka, i cili shprehet: "Isha në momentin e duhur, në vendin e duhur dhe natyrisht me dëshirën për t'u përfshirë në zhvillimet politike të vitit 1990, përmes të cilave u rrëzua sistemi komunist. Kështu u bëra politikan". Nga ky rrëfim, lind natyrshëm konstatimi, se nuk është vetëm çështje fati, por çështje investimi, që nomenklatura kishte bërë tek individë të caktuar, apo kategori të caktuara të shtresave të ndryshme në Shqipëri. Sigurisht në sheshin e Qytetit Studenti në dhjetor të vitit 1990, nuk mund të kishte përfaqësues nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë, ose siç quheshin ende atëherë: "shtresa e përmbysur". Për këtë nuk janë fajtorë as ata që ishin aty, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Madje ata kanë merita të padiskutueshme pasi me guxim, mbështetën dhe drejtuan protestat studentore për rrëzimin e sistemin komunist në Shqipëri. Nëse i referohemi historisë së zhvillimeve politike të atij momenti e në vazhdim, ajo elitë politike sundoi dhe po vazhdon të sundojë skenën politike për këto 22 vite. Për këtë proces, më duket me vend konstatimi i Orwell.
Pse e zgjodhët këtë temë, çfarë kishte intriguese?
Duke pasur informacion mbi zhvillimet brenda së majtës, vendosa të hulumtoj më herët në historinë e kësaj partie. Me ndihmën e pakushtëzuar të drejtuesit të diplomës, profesor Artan Fuga, u përqendrova në këtë studim. Erdhi momenti i duhur, mbështetja e duhur nga profesor Fuga dhe nga UET për të mundësuar një studim, i cili u botua me titullin "Trashëgimtarët - Partia Socialiste midis transformimeve dhe vazhdimësisë", një botim i "UET Press".
Si i keni zgjedhur figurat e PS-së që keni intervistuar?
Për të selektuar emrat e ish-drejtuesve të PS në ditët e para të funksionimit të kësaj partie nën këtë emër, kam kontaktuar me shumë politikanë, deputetë, analistë, apo edhe punonjës të aparatit të PPSH dhe më pas të PS. Është si një anketim për sondazh, takime të shumta me ata që kishin qenë pjesë e asaj historie, të cilët më ndihmuan të përcaktoj disa prej emrave që ndikuan drejtpërdrejt në zhvillimet që çuan në lindjen e PS nga PPSH në 12 qershor 1991. Dua t'i falenderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar të realizoj këtë studim, për të cilin kam punuar për dy vite. Intervista e realizuar me protagonistë të kohës, si z.Xhelil Gjoni, z.Ramiz Alia, z.Spiro Dede, z.Dritëro Agolli, z.Ismail Lleshi, z.Maqo Lakrori, z.Guro Zeneli, z.Musa Ulqini, janë pjesë e rëndësishme e punës për këtë studim.
Sa i vështirë ka qenë realizimi i tij?
Periudha të tilla në çdo histori janë të errëta, pasi nuk lënë dëshmi (me ose pa një qëllim të caktuar). Në Shqipëri partitë politike nuk kanë arkiv, shumica e zhvillimeve politike në vendin tonë përcillet si "gojëdhënë" në bazë të dëshmive të protagonistëve. Ndërkohë mungon arkivi zyrtar, i cili të ndihmon të hedhësh një farë baze për kërkimin që do të kryesh në funksion të studimit. Pra kjo ishte vështirësia e parë. Për ta zgjidhur këtë, vendosa t'i referohem gazetës zyrtare të kësaj partie "Zëri i Popullit". Ishte një zgjidhje e pamenduar më parë. Më duhej një media, e cila pasqyronte vetëm qëndrime zyrtare në mënyrë kronologjike dhe "ZP" m'u duk më e përshtatshmja ose më mirë të themi, e vetmja zgjidhje. Kjo më ndihmoi edhe për faktin, se ngjarjet e pasqyruara në studim, vinin nga burime zyrtare, dhe kjo shmang edhe kundërshtitë e mundshme pa baza, ndaj studimit. Ka qenë e vështirë sigurisht të realizoja intervistat me protagonistët e kohës. Dhe atëherë intervistat për këtë periudhë ishin të rralla në media, mungonte dëshira e protagonistëve për të folur rreth atyre ngjarjeve. Dukej se iu pëlqente më shumë harresa.
Cili është thelbi i studimit tuaj?
Faza e parë e hulumtimit nis me momentin e rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri. Kushtet në të cilat gjendej Shqipëria, ndërkohë që në vendet e Lindjes sistemi kishte rënë. Jam përpjekur të sjell në këtë studim kontekstin në të cilin zhvilloheshin ngjarjet brenda PPSH, për të shkuar drejt 12 qershorit 1991 kur ndodhi edhe shndërrimi i PPSH në PS, akt të cilin socialistët e quajnë themelim. Në studim konstatohet si shndërrim, apo thënë ndryshe, vetëm ndryshim emri. Ky konstatim vjen e përforcohet më shumë, kur protagonistët e kësaj ngjarjeje e pranojnë se 12 qershori i vitit 1991 ishte vetëm ndryshimi i emrit nga PPSH në PS, pra një ndryshim kozmetik i partisë së vjetër me emra të rinj, të cilët ishin formuar pranë asaj elite të vjetër. Në studim konstatohet gjithashtu, se reformimi i PS nis pikërisht pas këtij momenti, pra në kongresin pasardhës, atë të një viti më vonë të qershorit 1992, kur PS ishte në opozitë, pas fitores së PD në 22 mars 1992. Ky proces pretendohet se po vazhdon edhe sot në një frymë të re, në kushte të reja dhe me protagonistë të rinj.
Pas 22 vitesh histori, rruga e kësaj partie numëron disa lëvizje të forta, të cilat kanë çuar në fragmentarizim të theksuar të saj. Sot, pas kaq kohësh, pjesët e saj po rreken të bashkohen. Sa i besoni ju këtij ribashkimi të shumëpërfolur?
Historia e ngjarjeve politike brenda PS është mjaft dinamike, e dominuar nga konfliktet e vazhdueshme brenda grupeve kundërshtare. Në vitin 1993 deri në vitin 2004, kjo betejë ka si protagonistë ish-kryetarin socialist Fatos Nano dhe njërin prej drejtuesve kryesorë të kësaj partie, Ilir Meta. Konflikti ndërmjet Metës dhe Nanos përfundoi në vitin 2003, në kongresin e famshëm të ndarjes së PS, kur Ilir Meta bashkë me mbështetësit e tij u larguan. Në vitin 2004 ata themeluan partinë Lëvizja Socialiste për Integrim. Ky është momenti i parë i çarjes së të majtës. Faza e dytë është humbja e PS në zgjedhjet e 3 korrikut 2005 dhe zhvillimet që pasuan këtë moment. Kur Fatos Nano dha dorëheqjen, si pasojë e humbjes në zgjedhje, Edi Rama erdhi në krye të PS, bashkë me një frymë, e cila nuk ishte e njëjtë me shumë prej drejtuesve të kësaj partie. Kreu i ri i PS premtoi edhe bashkimin e së majtës, të cilin për tetë vite nuk mundi ta realizojë, përveç një momenti, kur vetë Rama kishte nevojë për aleancën me Metën në vitin 2007, kur rikandidoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë problemet brenda PS kanë qenë të vazhdueshme, me gjithë përpjekjet e kryetarit Edi Rama për të mos i bërë ato publike. Pas zgjedhjeve të vitit 2009, Ben Blushi u vendos në krye të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në këtë parti. Megjithëse e vuri në vështirësi Ramën, lëvizja u shpërnda pa lënë gjurmë të thella në organizimin e brendshëm të PS, por disa figura të rëndësishme të kësaj partie u larguan, duke lënë PS-në bashkë me Edi Ramën e Ben Blushin, të cilit i patën besuar. Pra edhe në tetë vitet e fundit, e majta dhe vetë Partia Socialiste është dominuar nga konfliktet e brendshme. Sa i përket bashkimit të tanishëm PS-LSI, duket më shumë si vigjilja e një konflikti. Bashkimi duket më shumë si interes i PS për të mundur Berishën në 23 qershor, pasi të vetëm dëshmuan se nuk ia dalin dot. Të majtët duket se janë bashkuar vetëm për t'i fituar këto zgjedhje, dhe pse konflikti është aty, i mundshëm për t'u aktivizuar ndoshta në dy skenarë: edhe në rastin kur e majta i humbet zgjedhjet, edhe në rastin kur i fiton ato.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›