E Diel, 1 Nëntor 2026

Trashëgimtarët, padisin Muzeun Kombëtar të Serbisë

Tre trashëgimtarë francezë të koleksionit artistik, pjesë e të cilit janë mbi 400 vepra ndërkombëtare arti – përfshirë këtu pikturat e shekullit të 19’të të artistëve Renoir, Matisse dhe Degas – kanë paditur zyrtarisht Serbinë për ‘mbajtje të dhunshme’ të tyre. Ata pohojnë se Muzeu Kombëtar i Serbisë, në Beograd, vazhdon t’i mbajë ilegalisht këto vepra që nga viti 1949.

Të 429 veprat e artit që aktualisht ndodhen në Muzeun Kombëtar të Serbisë, në Beograd, dikur ishin pjesë e koleksionit që i përkiste koleksionistit dhe agjentit të shquar për shitjen e veprave artistike, Ambroise Vollard.

Ndryshe, Vollard vdiq si pasojë e një aksidenti në muajin korrik të vitit 1939.

Në kohën e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë, një pjesë e koleksionit të Vollard i ishte dërguar për ruajtje shtetasit jugosllav Erih Chlomovitch. Por Chlomovitch, i cili ishte çifut, ndërkohë ishte arrestuar, e pastaj edhe ishte vrarë në një kamp nazist të përqendrimit – në vitin 1943.

Pas përfundimit të Luftës, qeveria e atëhershme jugosllave i përvetësoi të gjitha këto vepra, dhe pastaj i vendosi në Muzeun Kombëtar.

Avokatët e paditësve francezë pohojnë se Muzeu, i cili madje ka lejuar që disa prej veprave diskutabile të ekspozoheshin në ekspozita të shumta jashtë vendit, ka kohë që është në dituri për historinë e tyre të diskutueshme.

Historia e ‘Koleksionit Vollard/ Chlomovitch ' dhe vendimet ligjore të sjella në Francë kanë krijuar një përplasje ndërkombëtare që zgjat me dekada, kështu që nuk mund të ekzistojë asnjë kurator apo drejtor i muzeut, i cili nuk është në njohuri për këtë çështje”, shkruan avokati, Francois Honnorat, në ankesën e dorëzuar ditë më parë, një kopje të së cilës arriti ta siguronte edhe agjencia Reuters.

Po ashtu, një grup tjetër i veprave artistike, që përbëhej nga 190 piktura - të cilat dikur i përkisnin francezit Ambroise Vollard, por që nga Chlomovitch ishin lënë në Paris - ka kohë që ishin pjesë e proceseve të ndryshme gjyqësore. Megjithatë, trashëgimtarët e Villard arritën që ato t’i rifitonin me gjyq në vitin 1996.

Për ndryshe, pjesë e koleksionit që ende ndodhet në Muzeun Kombëtar të Serbisë, mes tjerash janë edhe disa vepra të ekspresionistëve të shekullit të 19’të, përfshirë këtu disa natyra të vdekura të Paul Gauguin, disa litografi të Paul Cezanne dhe Mary Cassatt, pastaj, mbi 50 pastele dhe vizatime të Edgar Degas, si dhe një numër veprash të Pierre-Auguste Renoir, që për temë kanë femrat, valltaret dhe kitaristët.

Përveç tyre, disa nga artistët tjerë të njohur të shekullit të 19’të dhe të fillimit të shekullit të 20’të, veprat e të cilëve gjithashtu janë pjesë e këtij koleksioni, janë edhe Pierre Bonnard, Camille Pissaro dhe Maurice Utrillo.

Avokatët e paditësve ndërkohë pohojnë se ata tashmë kanë njoftuar zyrtarisht edhe Ambasadën e Serbisë në Paris lidhur këtë çështje gjyqësore, megjithëse nga kjo e fundit ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Si erdhën veprat në Muzeun Kombëtar të Serbisë

Pas vdekjes së Ambroise Vollard, në vitin 1939, nuk ishte emëruar asnjë trashëgimtar për koleksionin e tij, që përbëhej nga afro 10,000 vepra artistike. Ishte kjo koha kur, sipas vëllait të tij, Lucien Vollard, afro 600 vepra arti erdhën në adresë të tregtarit të ri jugosllav të veprave artistike, Erich Chlomovitch, në Kroaci.

Fillimisht, Chlomovitch disa nga këto vepra i dërgoi në Paris, e pastaj u kthye prapa në Jugosllavi me 429 veprat e mbetura. Në mesin e tyre ishin 48 vepra të Renoir, 29 të Degas, 12 të Vlaminck, 11 të Bonnard, 11 të Redon, disa skulptura bronzi të Maillol, si dhe shumë pastele të Gauguin, Cezanne dhe Pissarro. Ky “Koleksion i Chlomovitch" ishte i ekspozuar në Zagreb, deri në vitin 1940.

Mirëpo, në vitin 1943, çifuti Chlomovitch arrestohet, e pastaj edhe vritet në një kamp të përqendrimit. Nëna e tij, Roza, e cila e mbijeton luftën, ndërkohë arrin një marrëveshje gojore me Muzeun Kombëtar në Beograd për heqjen dorë nga koleksioni. Mirëpo, meqë ajo vdiq në një aksident hekurudhor, në kohën kur ende po përgatitej që ta zyrtarizonte marrëveshjen, Roza nuk arriti që t’i definojë kushtet e saj. Si rrjedhojë, koleksioni ende mbetet pjesë e integruar e Muzeut Kombëtar të Serbisë në Beograd, përkundër ankesave të trashëgimtarëve të Vollard dhe të Chlomovitch.

Ndryshe, procedura e gjyqësore kundër Serbisë bazohet në vendimet e gjyqit të vitit 1996, gjegjësisht në konfliktin gjyqësor mes trashëgimtarëve të Villard dhe të General Company. Gjykata e Apelit në Amiens asokohe u dha të drejtë kërkesave të trashëgimtarëve, duke ua kthyer atyre 190 pikturat e lëna në Paris nga Erich Chlomovitch.

Të gjitha këto piktura janë vënë në shitje në shtëpinë e ankandeve Sotheby’s, në qershor të vitit 2010.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›