Buxheti me 18 miliardë më pak të ardhura
Qeveria e re e shtatorit duket se do të marrë një gropë fiskale nga paraardhësja e saj.
Pa llogaritur ato të ardhura të munguara nga buxheti i shtetit që mbeten larg deklarimit, në shtatë muajt e parë të këtij viti qeveria shqiptare është 18 miliardë lekë larg realizimit nga parashikimi i bërë.
Kjo do të thotë që qeveria e shtatorit duhet patjetër të rishikojë treguesit e saj fiskalë.
Burime zyrtare nga Ministria e Financave, saktësojnë për gazetën Dita se gjatë kësaj periudhe arkës së shtetit i mungojnë rreth 15 miliardë lekë të ardhura nga tatimet dhe doganat.
Nga ana tjetër edhe pse ka kaluar afati zyrtar i publikimit të treguesve fiskalë, akoma nuk ka një pasqyrë financiare të tyre.
Nga ana tjetër zëri i kompensimit të TVSH-së për Kurum Internacional i cili ishte në shumën e 3 miliardë lekëve nuk është futur tek këta tregues.
Kjo do të thotë se mungesës fiskale të 15 miliardë lekëve ju shtohet dhe shuma e dhënë për Kurum, që deri tani nuk është reflektuar në asnjë tabelë financiare të treguesve të Ministrisë së Financave./A.Xh