E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trauma, Kasano do operohet në zemër

ITALI- Antonio Kasano ka patur një sulm celebral mbi bazën e iskemisë. Është kjo ajo që ka komunikuar klubi i Milanit në uebsajtin e vet zyrtar, duke saktësuar në këtë mënyrë sëmundjen që ka goditur fantazistin barez. Kasano do t'i nënshtrohet në ditët e ardhshme një ndërhyrjeje kardiokirurgjike, ndërkohë që koha e rikthimit në fushë duket se do të jetë 4-6 muaj. "Analizat për të saktësuar këtë sëmundje kanë kërkuar 72 orë kohë dhe ato kanë evidentuar një vuajtje celebrale të kufizuar dhe që nuk ka qenë vendimtare për të shkaktuar deficite neurologjike, - bëri të ditur Milani nëpërmjet një komunikate për mediat. - Ndërhyrja e shpejtë ka lejuar në një rikuperim të shpejtë dhe përmirësim të kushteve klinike, që duken të mira.

Futbollisti do t'i nënshtrohet një ndërhyrjeje kardiologjike dhe koha e rikthimit në fushat e futbollit do të vendoset vetëm pas operacionit. Por, sigurisht që do të duhen disa muaj", shkruhet më tej në komunikatë. "Gjendja e Kasanos është e mirë, djaloshi është mirë, por unë nuk jam mjek. Komunikata thotë gjithçka, - u shpreh zëvendës presidenti i Milanit Adriano Galiani. - Ky problemi kardiak do të zgjidhet në mënyrë kirurgjikale dhe pas disa muajsh do të jetë Federata që do t'i japë OK-in për të luajtur. Isha shumë, shumë i shqetësuar, por karriera e tij nuk është në rrezik", shtoi Galiani.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›