Tërmeti në Turqi nxjerr në qendër të vëmendjes marrëdhëniet mes turqve dhe kurdëve
Tërmeti i fuqishëm prej 7.2 ballë në pjesën juglindore të Turqisë, me popullsi kryesisht kurde, ka nxjerrë në qendër të vëmendjes marrëdhëniet mes turqve dhe kurdëve. Tërmeti ra vetëm pak ditë pas vrasjes së 24 ushtarëve turq nga grupi rebel kurd, PKK. Përgjigjja pas tërmetit, i cili shkaktoi mbi 500 të vdekur, të paktën 1 600 të plagosur dhe la mijëra të tjerë të pastrehë, është shoqëruar si me mbështetje të madhe humanitare, por edhe me një nacionalizëm të shëmtuar nga disa turq ndaj të mbijetuarve. Siç njofton për Zërin e Amerikës, Dorian Jones nga Stambolli, tërmeti me pasoja tragjike po shihet tani si një provë vendimtare për gjithë vendin. Në të njëjtën kohë që rajoni me shumicë kurde përreth qytetit Van u godit nga tërmeti, turqit po demonstronin në gjithë vendin kundër vrasjes së 24 ushtarëve turq nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, të mbushur plot dhimbje dhe zemërim. Por edhe ndërsa bëhej e qartë shkalla e shkatërrimeve nga tërmeti dhe ekipet e shpëtimit përpiqeshin të nxirrnin njerëzit e bllokuar nën rrënoja dhe të ndihmonin dhjetëra mijëra të tjerë të pastrehë, gazetarja e njohur e televizionit, Muge Anil, provokoi një stuhi kontradiktash kur tha se pse duhet t’i ndihmojnë turqit kurdët e dëshpëruar në zonën e tërmetit. “Njerëzit duhet ta dinë se ku e kanë vendin. Kurdët qëllojnë me gurë policinë turke dhe vrasin ushtarë turq, dhe më pas kur e gjejnë veten në vështirësi, ata kërkojnë ndihmë nga ushtria dhe policia turke”. Pas një sërë protestash, Muge Anil u detyrua të kërkonte falje, por analisti politik Asla Aydintasba, i gazetës turke Milliyet, thotë se gabimi i gazetares Anil në televizion pasqyron ndjenjat e shumë turqve. "Tërmeti që ra menjëherë pas vrasjes nga PKK-ja të 24 ushtarëve turq ka nxjerrë në hap një farë racizmi që ekziston në disa qarqe, përfshirë këtu edhe median. Ka nga ata njerëz që thonë se nuk u vjen keq për viktimat e tërmetit, sepse atyre nuk u erdhi keq kur u vranë ushtarët turq. Kudo që të shkosh kjo ndjenjë ndaj kurdëve ekziston, prandaj edhe ne duhet të përqendrohemi te ky aspekt". Por turq të tjerë kanë ndihmuar zonën e goditur nga tërmeti. Rrjetet televizive transmetuan një thirrje mbarë kombëtare të quajtur "Një zemër", duke grumbulluar miliona euro. Thirrjet për veshmbathje kanë gjetur gjithashtu një përgjigje pozitive. Megjithatë, organizatorët njoftojnë se në xhepat e disa prej rrobave të dhuruara kanë gjetur shënime fyese, që dënojnë kurdët. Ky është një problem i madh që ka çuar në kontrollin e të gjitha rrobave të dhuruara. Shqetësimet rreth urrejtjeve të tilla etnike nxitën kryeministrin Recep Tayyip Erdogan që t’i dënonte ato me zemërim.
“Çdo fjalë, çdo frazë dhe çdo shprehje diskriminimi është çnjerëzore dhe e pa ndërgjegjshme. Këto janë ndjenja të sëmura dhe duhet të marrin fund”.
Kryeministri duhet të jetë i shqetësuar, thotë gjenerali në pension Haldun Solmazturk, i cili e ka përqendruar pjesën më të madhe të karrierës së tij në luftën kundër PKK-së. Ai thotë se gjatë muajve të fundit është vënë re një shtim i luftimeve, ku kanë humbur jetën më shumë se 50 ushtarë turq.