Kombëtarja, tërhiqet Hasi: Anderlehti nuk më lëshon
TIRANE- Besnik Hasi nuk është më kandidat për drejtimin e kombëtares shqiptare. Kosovari ka bërë të ditur dje se nuk ka marrë dot OK-in nga klubi i Anderlehtit dhe në këtë mënyrë ka tërhequr kandidaturën e tij për drejtimin e Shqipërisë. "Jam nën kontratë me Anderlehtin dhe klubi nuk më lejon të lëviz. Kështu që mund të them se nuk jam më kandidat për të drejtuar kombëtaren kuqezi", është shprehur ish-futbollisti kuqezi. Besnik Hasi ishte kandidati më potencial për të marrë drejtimin e përfaqësueses pas largimit të Josip Kuzhe, por negociatat me të ngecën në disa pika, sidomos të kohëzgjatja e kontratës. Me largimin e tij, FSHF zhytet në kaos përsa i përket çështjes së trajnerit të ri, teksa situata financiare nuk duket edhe aq e mirë.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)