E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Traviata” ndryshe e Gurakuqit

SHKRUAN: Aida Tuci 01-04-2011 13:06

Violeta shqiptare e 50 viteve më parë nën interpretimin e të madhes Marije Kraja sillte në skenat shqiptare premierën e operas “Traviata”. Nesër Violetat do të jenë dy: sopranoja Ramona Tullumani dhe Eva Golemi. Violeta e bukur, viktimë e realitetit francez të shekullit XVIII, vjen në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në një tjetër version regjisorial të Nikolin Gurakuqit. Por dy Violetat e mbrëmjes së nesërme duhet ë “sfidojnë” Marije Krajën e 50 viteve më parë, Edit Mihalin e 1972-shit, dhe në fund Mariana Lekën e 2002-shit. Ramona Tullumani, njëra nga Violetat, shprehet se është një rol i vështirë më shumë nga ana emocionale sesa nga ana teknike dhe vokale. “Është e pamundur që të mos përfshihesh në botën e Violetës, që kur fillon roli dhe derisa përfundon me vdekjen tragjike të saj”- shprehet Tullumani. Nikolin Gurakuqi e ka risjellë ndryshe këtë radhë Violetën e Verdit. Tashmë në skenë do të jetë një Violetë që shfaqet më shpesh në krah të Alfredos së saj, madje ata janë bashkë edhe në momentet më të vështira që kalon Violeta; një vënie në skenë kjo, që nuk e gjen në versionet e mëparshme. Kjo ndoshta për t’i dhënë “rëndësi” edhe dashurisë së Violetës e Alfredos, që vjen në skenë në interpretimin e tenorit italian Fabio Andreoti. “Në përgjithësi tenorët nuk e preferojnë rolin e Alfredos, sepse ky personazh është disi në hije dhe gjithë suksesi edhe i këtij roli shkon në fund për Violetën. Por në këtë version të regjisorit Gurakuqi, Alfredo del më në pah” – shprehet tenori italian, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare dhe interpretues në skena të rëndësishme operistike në Itali, ShBA, Japoni, Argjentinë etj. Ashtu siç deklaron dhe vetë regjisori Gurakuqi, para shfaqjes më 2, 3, 4 dhe 6 prill, opera “Traviata” vjen e ndryshuar thuajse tërësisht e ndryshuar, krahasuar me vënien më të fundit të kësaj opera në skenën e TKOB-së më 2006-ën. Ky ndryshim do të ndjehet që në fillim të shfaqjes e preludit, i cili vjen i ndryshuar komplet nga regjisori. Violeta e sëmurë në prag të vdekjes do të ndihet në tre aktet e operas. Një “këndvështrim” ndryshe padyshim që sjell edhe dirigjenti greko-amerikan Peter Tiboris. “Traviata” është një nga veprat më të njohura të kompozitorit italian Xhuzepe Verdi, një opera me tre akte, me libret të Françesko Maria Piaves, i cili u mbështet në romanin e Aleksandër Dumasë (i biri), vihet dhe rivihet me qindra herë në të gjitha skenat e botës, ashtu si dhe në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, që tashmë e ka pjesë të repertorit të zgjedhur operan verdiane. Historia e trishtë e Violetës, me dashurinë e saj ndaj Alfredos dhe fatin e keq, do të përcillet përmes interpretimit të disa prej artistëve aktivë të skenës sonë operistike. Përveç dy sopranove Golemi dhe Tullumani dhe tenorit Fabio Andreotti, do të interpretojnë edhe baritoni Ylber Gjini, Sofika Kola, Lindita Kola, Enkelejda Zepishta, Erlind Zeraliu, Denis Skura, Sidrit Bejleri, Ogert Islami, Edvin Kastrati, Sokol Hidersha, Ardian Kamberi, Fatmir Cara dhe Pandush Koko.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›