Trazirat ne Siri. Mblidhet KS ne OKB

Të paktën 24 civilë u vranë nga forcat e sigurisë së Siri, përfshirë edhe 10 të tjerë të cilët u vranë pas lutjeve të mbrëmjes, në ditën e parë të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Lajmin e kanë bërë të ditur aktivistët e të drejtave të njeriut. "Dhjetë veta u vranë dhe disa njerëz u plagosën me armë zjarri nga forcat e sigurisë në disa qytete siriane pas lutjeve të mbrëmjes", denoncojnë aktivistët, ndërsa komuniteti ndërkombëtar mbetet tejet i shqetësuar për gjendjen aty.Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka zhvilluar një takim me dyer të mbyllura për të diskutuar zhvillimet e fundit në Siri dhe për të shtyrë përpara mundësinë e miratimit të një projekt-rezolute, që do të dënonte regjimin sirian për përdorimin e dhunës ndaj protestuesve.
Seanca e së hënës, erdhi pas raportimeve për vdekjen e më shumë se 100 personave në Siri të dielën, duke përfshirë këtu një numër të konsiderueshëm në Hama. Përpara takimit të Këshillit të Sigurimit, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton u ka bërë thirrje anëtarëve të Këshillit, që e kishin kundërshtuar më parë një rezolutë mbi Sirinë ta rishikojnë atë.
Klinton ka bërë thirrje që regjimi i Sirisë "t'i ndalë masakrat tani". Shtetet perëndimore po diskutojnë një projektrezolutë e cila dënon regjimin e Bashar al Assadit për shtypjen e dhunshme të protestave. Këto përpjekje kanë dështuar deri tani për shkak të kundërshtimeve të Rusisë e Kinës por edhe të Brazilit, Indisë dhe Afrikës Jugore.
Delina Bitraku