E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbrazen nga mallrat serbe dyqanet ne Gorazhdec

Dyqanet tregtare me mallra të Serbisë në enklavën serbe të Gorazhdecit, në rajonin e Pejës kanë filluar të zbrazen. Serbët të cilët janë furnizuar me produkte serbe, që  në masë të madhe janë futur në mënyrë të paligjshme në pikat kufitare në veri, kanë filluar të ndjejnë pasojat e vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit me Serbinë.

Ka rreth një javë që në veri dhe në enklavat serbe nuk ka arritur as qumështi, as buka e as  shtypi serb. Në një dyqan serb në mes të enklavës së Gorazhdecit, ku të gjitha prodhimet janë nga Serbia dhe shiten me dinarin serb dhe jo me euro që është monedha e vetme zyrtare në Kosovë, raftet kanë mbetur të zbrazët, pasi pronarët refuzojnë të furnizojnë dyqanet e tyre me mallra tjera.
 
“Nuk kemi lëndë djegëse, nuk kemi as ushqim, sheqer, vaj, mish e kështu me radhë... Popullata më e rrezikuar në Evropë jemi ne serbët, ne nuk kemi as rrymë e as ujë...”,  të thotë  një banor.

“Sigurisht se do të vërehet mungesa e produkteve nga Serbia, dhe tani edhe sikur të vijnë do të jenë me çmime shumë më të shtrenjta. Kjo mungesë do të ndjehet veçanërisht nga popullata e cila jeton në fshatra....”,  shton një tjetër, në Gorazhdec.

“Kjo situatë ka ndikuar negativisht në tërë rajonin e Pejës, në veçanti në ato vende ku jetojnë shumica serbe. Kjo situatë  askujt nuk i është dashur...”, thotë një tjetër serb.

Serbët thonë se përveç gjërave ushqimore ka filluar të ndjehet edhe mungesa e barnave, pasi bllokimi i dy pikave kufitare në veri ka Vështirësuar furnizimin me medikamente nga Serbia.

Produktet serbe edhe në qendrat e mëdha tregtare në Prishtinë dhe qytetet tjera kanë filluar të mungojnë. Në disa qytete qytetarët të revoltuar me djegien e pikës kufitare dhe vrasjen e anëtarit të njësisë speciale Enver Zymberi kanë djegur prodhimet serbe ndërsa në disa vendbanime në mënyrë të organizuar ka filluar aksioni për bojkotimin e prodhimeve serbe.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›