E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra e Uithers për Uikileaks: Ambasada amerikane thotë të vërtetën

Ish-ambasadori: Në fakt, raportimi nga ambasada në Tiranë jo vetëm ka përmbushur standardet më të larta të Departamentit të Shtetit, kabllogramet tona merrnin rregullisht lëvdata në Uashington

Ish-ambasadori i ShBA në Tiranë, Xhon Uithers, në një letër të publikuar dje në televizionin Top-Channel, ka komentuar kabllogramet për Shqipërinë të bëra publike nga Uikileaks dhe që në pjesën më të madhe janë dërguar gjatë kohës së qëndrimit të tij në vendin tonë. Uithers, që, siç thotë, tani është në pension, ka mbajtur qëndrim të ashpër ndaj fenomenit të publikimit të kabllogrameve diplomatike, por nga ana tjetër ka kërkuar që ato të vlerësohen si të vërteta dhe të paanshme.

Letra e plotë

Të dashur miq, ka kaluar tashmë një vit qëkur u largova nga Shqipëria, jeni ende në mendimet dhe kujtimet e mia për dashamirësinë e madhe që më keni dhënë dhe përvojat e pasura që kemi bashkëndarë. Një pjesë e imja do të mbetet gjithmonë në Shqipëri.

Gjatë javëve të fundit në mediat tuaja janë shfaqur kabllograme të pretenduara të Departamenti të Shtetit, të zbuluara nëpërmjet Uikileaks. Ka patur vazhdimisht spekulime lidhur me këto kabllograme dhe për fat të keq një pjesë e madhe e spekulimeve kanë qenë çorientuese dhe të pasakta. Tani ju shkruaj me shpresën për të qartësuar një numër keqperceptimesh që janë duke qarkulluar. Një gjë të tillë nuk e bëj më si ambasadori amerikan në Shqipëri, por si një nënshtetas i vendit tim. Por këtë e bëj edhe si një mik i Shqipërisë dhe si dikush që, siç e dini, beson tek e vërteta.

Edhe përpara se të largohesha ka pasur sugjerime se unë paskam pasur një axhendë personale gjatë mandatit tim në Shqipëri. Eprorët e mi i kanë quajtur të tilla pohime të gënjeshtërta dhe i kanë refuzuar ato kategorikisht në një komunikim zyrtar që më pas u bë publik në nivelet më të larta të qeverisë suaj. I njëjti pretendim ka lindur sërish dhe prapë mbetet i pavërtetë. Ironikisht asgjë nuk e provon më qartë sesa vetë zbulimet e Uikileaks këtë të pavërtetë. Në mënyrë të pakundërshtueshme, ato tregojnë drejtpeshimin, paanshmërinë si dhe objektivitetin e raportimit të ambasadës për Shqipërinë gjatë punës sime atje. Të gjitha partitë, personazhet dhe veprimet politike i nënshtroheshin të njëjtit shqyrtim me çiltërsi.

Asnjë vëzhgues i paanshëm nuk do të mund të arrinte në një përfundim të ndryshëm. Në fakt raportimi nga ambasada në Tiranë jo vetëm ka përmbushur standardet më të larta të Departamentit të Shtetit, kabllogramet tona merrnin rregullisht lëvdata në Uashington, por edhe kanë qenë tërësisht në përputhje me të gjitha ambasadat anë e mbanë botës. Edhe të tjera ambasada ashtu si ne ofronin vlerësime të sinqerta të njerëzve dhe rrethanave në fushat e tyre të përgjegjësive. Sado trazuese apo të sikletshme që mund të jenë ato vlerësime për ndokënd, e vërteta është që asnjë ambasadë amerikane apo ambasador amerikan nuk ka kurrfarë axhende private. Ne jemi përfaqësuesit personal të presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe i përkushtohemi vetëm shërbimit për interesat e popullit amerikan. Shqip dhe shkoqur axhenda jonë është axhenda e tyre. Cilido që sugjeron ndryshe nuk dëmton dhe aq një individ si unë, por pikërisht postin e shquar që aq shumë amerikanë të zotë kanë pasur privilegjin ta mbajnë, si dhe dëmton edhe më tej ata që na e kanë besuar neve atë post.

Si një ish-diplomat, po aq sa edhe qytetar i vendit, jam thellësisht i keqardhur për fenomenin Uikileaks. Aftësia e diplomatëve, për të folur haptas dhe në mirëbesim me njëri-tjetrin, është dhe ka qenë një element thelbësor i profesionit tonë që nga fillimet e tij. Informacioni ynë, përfshi edhe ai mbi Shqipërinë, mblidhet nga një gamë tepër e gjerë burimesh, përfshi edhe nivelet më të larta të qeverisjes. Çfarëdo veprimi që cenon aftësinë e një diplomati për të bashkëndarë informacion në këtë mënyrë, apo për të punuar me diplomatët të tjerë për të mirën e përbashkët është një veprim i dënueshëm.

Prandaj teksa i lexoni materiale të tilla sado të njollosura, ju nxis të mos hutoheni nga pohime e ndryshme sensacionale, por në vend të kësaj të ngulni sytë në një fakt thelbësor dhe të pakundërshtueshëm që gjendet aty, ambasadat amerikane thonë të vërtetën. Ky është dhe do të jetë gjithmonë parimi më i parë dhe më i lartë i diplomacisë amerikane. Sado i keq të jetë lajmi apo sado e sikletshme të jetë një rrethanë, një ambasadë amerikane raporton të vërtetën edhe për një aleat të ngushtë si Shqipëria. Nëse zgjedhjet janë të dyshimta, e themi këtë. Nëse autoritetet qeveritare kërcënojnë pavarësinë e institucioneve demokratike të vendit dhe median, ne e themi këtë.

Nëse besnikëria partiake pengon qeverisjen e vendit, nëse korrupsioni i kudogjendur minon zhvillimin e mirëfilltë ekonomik, nëse përparësia e udhëheqësve është të rendin me këmbëngulje drejt pushtetit, në vend që të rendin për t’i shërbyer popullit, ne e themi këtë.

Dhe nëse parimet universale të demokracisë vazhdojnë të lihen mënjanë dhe vetë demokracia bën prapa, ne e themi këtë dhe do vazhdojmë ta themi këtë deri sa të rifillojë përparimi i vërtetë.

Kjo është detyra parësore e një diplomati amerikan dhe një detyrë e tillë do të përmbushet patjetër. Unë nuk jam më në shërbim të qeverisë, por një gjë e di, mund t’i besoni ambasadës amerikane, mund të mos ju pëlqejë çdo gjë që ajo thotë, por mund të keni besim që diplomatët tanë bëjnë çdo përpjekje për të arritur standardet më të larta të ndershmërisë dhe objektivitetit. Nuk ka material që rrjedh nga Uikileaks, nuk ka editorial sado pasionant, nuk ka shkrime sado të çjerra që mund ta ndryshojnë këtë. Në mbyllje, më lejoni t’ju uroj, miqtë e mi shqiptarë, gjithë sukseset dhe lumturinë e mundshme. Jeni një popull i veçantë dhe vendi juaj është një vend i veçantë. Ruaj admirim të madh për talentin tuaj të jashtëzakonshëm dhe kam shpresat më të larta të mundshme për të ardhmen tuaj. Ju dërgoj përshëndetjet më të përzemërta, miku juaj Xhon L. Uithers II

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›