Fier, reshjet rrezikojnë varrezat
FIER - Reshjet e ditëve të fundit në Qarkun e Fierit rrezikojnë shembjen e varrezave publike të këtij qyteti. Ky problem është bërë evident prej vitesh, për shkak se në to nuk janë vënë mbrojtëse dhe terreni është kodrinor. “Kam ardhur nga Greqia dhe po shikoj varrin e nënës gati të masakruar. Varret janë plasaritur dhe dëmtuar nga erozioni i tokës. Po na dalin eshtrat e të afërmve në sipërfaqe”, u shpreh një emigrant, i cili është kthyer për festat e fundvitit në Shqipëri. Ai bën thirrje për ndërhyrje të menjëhershme, pasi varret kanë pësuar çarje. Këtë situatë të rëndë e pohojnë edhe drejtuesit e shërbimeve funerale në bashki. Sipas kreut të shërbimeve funerale në Bashkinë e Fierit, Edmond Strati, për t’i paraprirë këtij fenomeni shqetësues është miratuar një fond me vlerë 6 milionë lekë. Sipas tij, në projektin e hartuar nga Departamenti i Shërbimeve Publike përfshihet ndërtimi i mureve mbrojtëse si dhe përmirësimi i infrastrukturës së brendshme të varrezave. m.r