Tre gra të vrara barbarisht në tre ditë. Topalli: Mjaft, një çmenduri, një tmerr
Tiranë- Kryetarja aktuale e Kuvendit, Jozefina Topalli ka reaguar në faqen e saj në rrjetin social Facebook mbi vrasjet e ditëve të fundit të tre grave nga bashkëshortët e tyre.
Për zonjën Topalli përmasat e krimit në familje janë shndërruar në çmenduri dhe tmerr.
“Të dashur miq!
Në tre ditë, 3 nëna, 3 gra u vranë barbarisht. Kjo është një çmenduri, një tmerr.
Alketa Cani, Valbona Çarçani, Valbona Lleshi nuk janë më. Fëmijët e tyre jetojnë ferrin! Ato ishin nënat, të bukurat, të mrekullueshmet.
Për të gjithë Valbonat, në tribut për çdo nënë, bëni share (nëse jeni dakord) për të thënë MJAFT! Jozefina”,-shkruan zonja Topalli në rrjetin social.