E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre liqene mbi Devoll

Qeveria shqiptare e cilëson projekt të madh në fushë energjetike ndërtimin e këtyre hidrocentraleve.

Për shfrytëzimin e burimeve hidrike te lumit Devoll, i është dhënë e drejta shoqërisë Devoll Hydropower,  një kompani shqiptare e krijuar nga kompania austriake EVN AG dhe kompania norvegjeze Statkraft AS, ku secili aksioner zotëron 50 për qind të aksioneve. 

Do të duhen rreth 6-7 vjet që të përmbyllen të tria fazat e ndërtimit të këtyre veprave, nga  ku Shqipëria do të përfitojë 20 për qind më tepër energji të riciklueshme në raport me sasinë që prodhohet në kushtet aktuale. Vetëm nga ndërtimi i hidrocentralit të Banjës do të përfitohen rreth 320 Megavat energji dhe mbi 90 milion metër kub ujë që do të përdoret për nevojat vaditëse të zonës së Sulovës, Dumresë dhe deri në zonat e Kuçovës. Por ajo që konsiderohet më e rëndësishme për të gjithë komunitetin është qindravende pune dhe rritja e biznesit.

Në këtë vepër madhore, qe cilësohet si një nga investimet më të mëdha në vend, vazhdojnë punimet, ku vetëm në digën e Banjës janë kryer punime të tilla si, gërmime në pjesën para tunelit si dhe është instaluar  mekanizmi kontrollues i portës së tunelit të shkarkimit të poshtëm, është inspektuar  tuneli shkarkues i poshtëm dhe është bërë instalimi i pajisjeve mbrojtëse bllokuese të shkarkimit të poshtëm.

Përfaqësues të kompanive austriake dhe norvegjeze e cilësojnë ndërtimin e HEC-ve si një nga investimet më të mëdha në vend dhe sipas drejtorit të përgjithshëm, Helwig Ueberacker, “ky investim do të luajë një rol  të rëndësishëm në rritjen e dukshme të ekonomisë rajonale, duke krijuar  punësim direkt dhe indirekt, duke rritur mundësitë për biznes për sipërmarrësit lokalë si dhe për përfitime të tjera, gjithmonë  me  përkujdesje  ndaj komunitetit”.
 
Tre HEC- t mbi lumin Devoll

HEC- i i Banjës: Struktura ekzistuese  e digës së përkohshme  do të integrohet në projektin e ri dhe do të ngrihet në lartësinë 175 metra mbi nivelin e detit. HEC-i i Banjës  do të shfrytëzojë  rënien ndërmjet 175 metra dhe 95 metra mbi nivelin e detit. Diga do të ndërtohet si digë me materiel  vendi me mbushje me bërthamë argjile të papërshkueshme  dhe me një lartësi prej afërsisht 80 metra. Liqeni që do të krijohet do të ketë  një sipërfaqe prej afërsisht 14 km katrorë dhe rezervuari do të shtrihet nga Banja deri në afërsi të  qytetit të Gramshit .

 HEC-i Koklës do të vendoset në grykën e ngushtë  në hyrje të kanionit, në mesin e luginës së Devollit. Ky HEC është i dyti në renditje dhe centrali elektrik  më i vogël i projektit Hidroenergjetik të Devollit. Diga e HEC-it të Koklës ka një lartësi prej afërsisht 50 metrash dhe është më një strukturë të kombinuar betoni me gravitet dhe material vendi me një shkarkues të sipërm të fiksuar. HEC-i Koklës shfrytëzon rënien nga një lartësi nga 350 metra deri në 295 metra mbi nivelin e detit.
     
HEC- i i Moglicës është centrali elektrik më i madh  që do të ndodhet në pjesën e sipërme të Projektit Hidroenergjetik  të Devollit. Ky HEC shfrytëzon rënien prej 300 metrash ndërmjet 650 metra dhe 350 metra  mbi nivelin  e detit. Diga me një lartësi prej 150 metrash  ështe nje shtresë e papërshkrueshme asfalto-betoni  dhe do të jetë më e larta në botë për tipin e saj.

Investimi i  dy kompanive prestigjioze është mbi 1 miliard euro, ku për  realizimin e këtyre veprave mjaft të rëndësishme  me kapacitet  prodhimi në total nga  280 MW -383 MW  parashikohet të  punësohen me qindra specialistë e disa  mijëra punëtorë të kualifikuar.  /Start/

                                                                                             2011-11-20 15:39
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›