E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha "nis" shkurtimet në administratën vendore

Kreu i qeverisë ka akuzuar drejtuesit lokalë se kanë fryrë administratën me një numër të madh punonjësish


Qeveria krijon Fondin e Zhvillimit Rajonal, i cili do të përcaktojë fondet për investime në bashki dhe komuna

Një numër jo i pakët të punësuarish në administratën vendore, pritet t'i shtohet kontigjentit të të papunëve në Shqipëri.


Qeveria qendrore vendos të ndërhyjë dhe t'u "mbledhë lakun" drejtuesve të qeverisjes vendore për të kufizuar administratën e tyre. Ka qenë Kryeministri Sali Berisha ai që ka paralajmëruar marrjen e një mase të tillë shtrënguese, duke u kërkuar krerëve vendorë që të respektojnë raportet normale të përdorimit të fondeve publike, mes zërit të pagave dhe investimeve.


Deklarata


Duke folur në mbledhjen e radhës së Komitetit të Planifikimit të Strategjive, Kryeministri Berisha kërkoi nga qeveritë vendore që të rishikojnë organikën e tyre, pasi, sipas tij, ajo në disa raste jo të rralla është e mbingarkuar. Për këtë qëllim, Kryeministri i ftoi qeveritarët vendorë që të adaptohen me standardin qendror të qeverisjes, pra me "qeverinë e vogël".


Sipas tij, krerët vendorë, në mënyrë të qëllimshme dhe për të krijuar sa më shumë vende pune për njerëzit që i kanë mbështetur gjatë fushatave elektorale, kanë krijuar vende jo efektive pune në institucionet e tyre, duke harxhuar në këtë mënyrë fondet publike për pagesat e tyre dhe duke reduktuar në maksimum pjesën e fondeve për investimet.


"Qeveritë vendore, dyfishimit dhe trefishimit të fondeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për rrugë, kanalizime, ujësjellës, shkolla, kopshte, sistemime etj., për fatin më të keq i janë përgjigjur me dyfishimin e numrit të punonjësve", - tha Berisha. Nisur nga një fenomen i tillë, ai ka kërkuar reduktimin e pjesës së zërit të pagave nga 35 për qind që përdoret sot, në nivelin e 20 përqindëve, çka do të thotë kufizim të numrit të punonjësve.


"Sot, këto qeveri vendore konsumojnë 35 për qind të fondeve të tyre si fond pagash. Nuk mund të ketë më shumë se 20 për qind të buxhetit shpenzime për rrogat", - tha Berisha gjatë fjalës së vet.


Madje, ai ka prurë në vëmendje dhe raste konkrete ku vihen re abuzimet që, sipas tij, kanë bërë drejtuesit lokalë në këtë aspekt. "Dy komuna rreth Tiranës, njëra blu e tjera rozë, kanë tetë punonjës më shumë se sa Bashkia e Durrësit dhe Bashkia e Manzës të marra së bashku.


Sot nuk dua të merrem me emra dhe shpresoj se qeveritarët vendorë do të realizojnë situatën tmerrësisht të papranueshme që është krijuar", - tha Berisha, duke u kërkuar kryetarëve të komunave dhe bashkive që të marrin në Ministrinë e Brendshme të gjithë organikën aktuale të komunave dhe bashkive të vendit. Shqetësuese, sipas tij, është situata në bashkitë e nivelit të parë, ku pavarësisht përafërsive në banorë, ato kanë disproporcione të mëdha punonjësish.


Dhe natyrisht, jashtë fjalës së tij, ai nuk ka lënë Bashkinë e Tiranës, e cila sipas tij mban rekordin e të punësuarve, me 3 200 punonjës, ose duke e krahasuar me Bashkinë e Durrësit, plot 14 herë më shumë. "Kjo është absolutisht e papranueshme.


Kjo krijon një barrë të rëndë mbi shpatullat e brishta të qytetarëve shqiptarë dhe nuk mund të bindësh kurrë njeri se Tirana qenka 14 herë sa Durrësi", - tha më tej Berisha. Kjo për Berishën ka bërë që të bjerë ndjeshëm numri i investimeve nga pushteti vendor, pasi një pjesë e mirë e fondeve kalojnë për paga.


Nisma


Për luftimin e këtij fenomeni, ekzekutivi nuk do të mbetet vetëm në kuadrin e deklaratave dhe thirrjeve kundrejt drejtuesve vendorë për të kufizuar numrin e punonjësve dhe për të reduktuar fondin e pagave.


Shefi i qeverisë, Sali Berisha, ka deklaruar dje se, për të arritur një gjë të tillë, ka vendosur që të krijojë një mekanizëm të posaçëm financiar për të kontrolluar, por edhe për të menaxhuar si duhet fondet publike që i akordohen pushtetit vendor.


Bëhet fjalë për krijimin e Fondit të Zhvillimit Rajonal, i cili do të jetë një zë i veçantë i centralizuar parash, që do të përdoren vetëm për hesap të investimeve publike. "Për të mbyllur këtë kapitull të hidhur, do të krijohet Fondi i Zhvillimit të Rajoneve.


Paratë e buxhetit do të kalojnë në Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, por nuk them se nuk do të japim një sasi të pakushtëzuar parash, e cila do të jetë absolutisht minimale, për t'u përdorur për rroga dhe për qelepir", - u shpreh Berisha.


Kështu, do të jetë qeveria ajo që do të përcaktojë fondet për investime nëpër komuna dhe bashki, në bazë të projekteve që këto të fundit do të paraqesin, ndërsa fondi për pagat do të jetë një zë i veçantë.


Me anë të krijimit të këtij fondi synohet që t'u mbyllet mundësia drejtuesve vendorë për të përdorur paratë për investime në paga. "Fondi i Zhvillimit të Rajoneve do të jetë një mundësi e madhe për ta. Fondi i Zhvillimit të Rajoneve do të përfshijë rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, kanalizimet, ujësjellësit dhe sistemet e vaditjes, në komunat periferike ose më të pakta në tokë, sepse në zonat e mëdha, natyrisht do të jetë Ministria e Bujqësisë, në bashkëpunim me autoritetet vendore, që do të ruajë të drejtën e ndërmarrjes së projekteve për zhvillimin e sistemeve vaditëse", - tha Berisha.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›