Sijarina: Kemi folur pa doreza për të rinjtë e Kosovës
"Ama dorën", premiera Kosovare në Festivalin e Durrësit
Ndonëse "Ama Dorën", i regjisorit nga Kosova Ismet Sijarina, është një film jashtë konkurrimit, ky prodhim ka tërhequr vëmendjen e spektatorit për 100 minuta, dy net më parë në Festivalin Veror Ndërkombëtar të Filmit në Durrës. "Ama Dorën" është realizuar me një buxhet minimal dhe regjisori Sijarina pohoi dje në konferencën për shtyp, se ky ka mundësi të jetë filmi më ekonomik në historinë e kinemasë së Kosovës, vlera totale e të cilit nuk i ka kaluar 40 000 eurot. Por për regjisorin Ismet Sijarina, për fat të mirë, buxheti është vetëm një çështje, ndërsa krijimtaria artistike një tjetër gjë. Është një film ku flitet me "gjuhën e drogaxhinjve", duke synuar të japë një Prishtinë të gjallë të ditëve të sotme.
"Ama Dorën" është bazuar në një ngjarje reale. Besi, një djalë i ri, duke u përpjekur të tregohet burrë dhe t'i bëjë përshtypje të dashurës, merr drejtimin e gabuar. Ai hyn në një botë të errët, plot dhimbje dhe vdekje. Filmi e sjell tepër të gjallë realitetin e narkomanëve të Prishtinës. Jo rastësisht porosia e regjisorit ndaj aktorëve ka qenë: "Sa më pak aktrim dhe sa më shumë realitet!". Filmi është artistik, ndonëse ka shumë elementë dokumentari që e bëjnë të duket nganjëherë si një "emision për varësinë nga droga". "E kemi thënë realitetin pa doreza. Ashtu siç është, në mënyrë që shembulli i personazhit tonë të shërbejë për t'i larguar të rinjtë nga kjo rrugë",- tha Sijarina.
Pas prodhimit kosovar, është projektuar "Pa krahë" i regjisorit maqedonas Ivo Trajkov. Filmi i tij ka si protagonist Jozef Bartën, i cili erdhi në këtë botë me profecinë se do të vdiste në moshën 29 vjeç. Teksa ditëlindja e tij e 29-të po afronte, gruaja e braktis atë dhe djalin e tyre. Gjërat shkojnë keq. Jozefi humbet punën, por pas peripecish të panumërta, shfaqet Olivia dhe duket se dashuria për të bukurën i ofron shpëtim...
"I kemi kushtuar shumë vëmendje përshkrimit",- shprehet regjisori. Ai deklaroi ndër të tjera se "interneti e ka ndryshuar kinemanë në mbarë botën". "Në vitet '70-të një premierë ndiqej me interes të jashtëzakonshëm nëpër salla. Ndërsa tani magjia e kinemasë duket në krizë. Atë mund ta shohësh edhe nga një ekran kompjuteri dhe kjo i ka komplikuar gjërat, ndaj duket se tani në shekullin e 21-të, filmi është transformuar", - përfundoi ai.
Programi i sotëm vijon me projeksionet e filmave "Vështromë" i Marija Perovic (Mali i Zi), "Aragosta" i Ivan Cherkelov (Bullgari), "La pivellina" i Tizza Covi/Rainer Frimel ( Austri/Itali), "Motra e Katjas" i Mijke de Jong (Holandë).