Qyteti i lindjes hesht për Shantojën
"Hylli i Dritës" kujton Dom Lazër Shantojën. Kryeredaktori i saj, Ardian Ndreca, u bën thirrje edhe pinjojve të familjes që u vendos - menjiherë mbas bastisjes prej partizanëve - në shtëpinë e Shantojës në Tiranë, që t'ia dorzojnë Arkivit të Shtetit, materialet që mund të kenë ruajtur. Ndërsa Shkodra, dhe këshilli bashkiak i qytetit nuk i është përgjigjur kërkesës për një kushtim poetit, estetit të torturuar dhe të pushkatuar pa gjyq më 1945-ën
"Nuk asht shumë i njohtun ndër ne. Pak për shkaqe politike e pak pse asht nji shkrimtar aristokrat, kultivues i ndjenjave të nalta e i shijeve të holla - të cilat jo gjithnji gjejnë lexuesa me zemra të ndieshme e me sens të spikatun estetik. Ai ka qenë nji ndigjues i vemendshëm dhe nji ndjekës i etshëm i shpirtit shqiptar, ka qenë nji vrojtues i censhëm i virtyteve dhe i të metave të atij shpirti."
Ky është përshkrimi për Dom Lazër Shantojën (1891-1945) që i bën Ardian Ndreca në numrin e fundit të revistës "Hylli i dritës", në shënimin me titull "Lazër Shantoja: Poeti kundruell shekullit", shoqëruar me disa shkrime të vetë Shantojës. Prej vitit 2005 kur Botime Françeskane hodhën në qarkullim "Lazër Shantoja, Vepra", njohja e kësaj figure nuk ka gjetur ndonjë lloj ndjeshmërie të mëtejshme. Për këtë arsye, kryeredaktori "Hyllit", Ardian Ndreca, iu përgjigj disa pyetjeve të "Shekulli"-t për këtë figurë dhe ofroi për ribotim në këto faqe tekstin e Shantojës, "Fëmi shqiptar në lulishte t'hueja".
Kush është
Dom Lazër Shantoja u lind më 1891-shin në Shkodër. U formua në Seminarin e Etërve Jezuitë, ndoqi studimet për teologji në Insbruk. U shugurua meshtar dhe si famullitar shërbeu në Pulaj, Beltojë,Velipojë, Rrjoll, Sheldî. Boton dhe përkthen. Për dy vjet është sekretar i Arkipeshkvit të Shkodrës, Imzot Lazër Mjedës.
Bashkëpunon me Anton Harapin për "Ora e Maleve". Arrestohet e burgoset si frymëzues e organizator i Revolucionit të Qershorit 1924. Boton gazetën "Ora e Shqipnisë".
Më 1941, bashkë me Ernest Koliqin, Mustafa Krujën, Zef Valentinin, Karl Gurakuqin, Xhevat Kortshën etj., është një nga themeluesit në Tiranë të Institutit të Studimeve Shqiptare. Arrestohet më 1945-ën, sillet në burgun e Tiranës. Pushkatohet pa gjyq në rrethinat e Tiranës. As sot nuk ka një varr të Dom Lazër Shantojës.
Ishte e lehtë apo e vështirë përgatitja e këtij numri të "Hyllit..."?
Me përgatit nji numër reviste si "Hylli i Dritës" asht nji përgjegjësi jo e vogël, sidomos kur mendon për traditën që ke mbas vetes dhe për emnin e vetë së përkohshmes.
Kam ndeshë, si zakonisht, mjaft vështirsina, por me ndihmën e disa prej bashkëpuntorve jam mundue me i kalue. Gjithsesi, fjala e fundit i takon lexuesit të kualifikuem.
Cila është e veçanta e këtij numri?
Ky numër ka disa gjana të veçanta. Po filloj me artikullin e studiuesit Italo Sarro, i cili për herë të parë na tregon detajet e emigrimit të nji pjese të fisit të Hotit, në vitin 1833. Interesante në ketë shkrim asht mekanizmi i emigracionit të kohës. Hotianët e kërcenuem prej turqve, mbasi kishin thye me turp nji ushtri turke të nisun prej Shkodre për me i nënshtrue, me ndihmën e nji françeskani i shkruejnë perandorit Franci I, tue i kërkue leje me u shpërgulë në tokat e tija, e ndërkaq i shkruejnë edhe Propagandës Fide në Romë për me i mbështetë nga pikëpamja shpirtnore. Të dyja kërkesat plotësohen dhe familjet hotiane gjejnë strehë dikund në Italinë e veriut, asokohe territor i perandorisë.
Artikuj me interes janë edhe ato të Bardhyl Demirajt dhe Anila Omarit. Të dy prekin temën e Formulës së Pagzimit, dhe në nji farë mënyrë përfundojnë diskutimin e lindun kohët e fundit rreth këtij argumenti. Edhe artikulli i Jean-Pierre Tennevin rreth helenistit francez Gabriel Ancey ka randësi, mbasi lexuesi ndriçohet rreth përpjekjeve të këtij shkencëtari me spjegue disa momente të korpusit të mitologjisë greke, tue u nisë prej botës shqiptare. Sigurisht, nuk ka asnji tentativë këtu me paraqitë "en bloc" dhe si të paprekshme pikëpamjet dhe metodologjinë e Ancey, por thjeshtë me nënvizue vlerën historike të hulumtimeve të këtij autori.
Keni përfshirë letërsi nga Lazër Shantoja. Pse Shantoja, dhe pse pikërisht këto materiale?
Në ketë numër përfshihen disa shkrime të Shantojës të shoqnueme me nji hymje të shkurtë. Shkrimet i përkasin viteve '20-'30 dhe simbas mendimit tem, i krijojnë lexuesit të sotëm nji ide rreth talentit të këtij shkrimtari. Shkrimi "Fëmi shqiptar në lulishte t'hueja", flet për dramën e emigracionit antizogist, shkrimet "Totoci - Uka - Bizderri" dhe "Çamakë e balona" janë dy gravura, ku mund të shihet e përshkrueme jeta e qytetit të Shkodrës në fillimet e '900-ës. Ndërsa "Kodra mbas bregut" asht nji portret i rrallë i nanës së shkrimtarit, nji portret i gjallë, e i pa randuem me ojna, ku ai përshkruen edhe me nota autoironike vuejtjen që i shkaktonte së amës pasioni i tij për politikën.
Përveç këtyne prozave plot lirizëm, i paraqesim lexuesit edhe përkthimin që Shantoja i bani poezisë së famshme të Friedrich Schiller-it, me titull "Kanga e kumbonës". Kjo kryevepër e letërsisë gjermane asht përkthye me art, tue ruejt ritmet, hovet, dinamizmin lirik me të cilin nji shkrimtar i madh si Schilleri e pat mbrujtë. Por Shantoja ka përkthye edhe prej shkrimtarëve tjerë si Leopardi, Heine, Wilde, De Musset e Goethe.
Je një nga hartuesit e përmbledhjes së veprës së Shantojës botuar disa vite përpara, pra e njihni mirë këtë figurë. Megjithatë, njohja e këtij "Konice të veriut", siç është quajtur, ka mbetur në vend. Libri në fjalë nuk ekziston në asnjë librari të kryeqytetit.
Vepra e plotë e Shantojës asht botue nga Arben Marku në vitin 2005 (Botime Françeskane, Shkodër, 2005, ff. 688), mbas nji pune dhjetëvjeçare kërkuese në arkivat italiane, zvicerane, austriake, në Arkivin tonë të Shtetit, tue shfletue me kujdes rreth 20 mijë faqe prej të përkohshmeve të kohës kur qe aktiv Shantoja. Nji ndihmesë të madhe na dhanë edhe disa privatë që zotnonin dorëshkrime, letra e fotografi.
Përsa i përket shpërndamjes, ju keni të drejtë, sot libri gjindet me siguri në librarinë Françeskane në Shkodër. Fatkeqsisht, sot, në vendin tonë nuk kemi nji ent serioz që merret me shpërndamjen e librit, mungon profesionalizmi dhe sidomos etika, gja që vështirson shumë qarkullimin e librit. Megjithatë, në javët e ardhshme, në disa prej librarive të kryeqytetit kjo vepër do të duket rishtas. Ndërsa "Hyllin e Dritës" mund ta gjeni qysh tashti në libraritë kryesore të kryeqytetit.
A ekziston një arkivë e tij dhe çfarë mund të ketë në pritje për botim prej Lazër Shantojës. Po vetë qyteti i lindjes, a i ka kushtuar vëmendje këtij shkrimtari?
Shumica e materialeve që i përkasin Shantojës janë botue në veprën e sipërpërmendun. Ka ende gjana dytësore (variante, përpunime të ndryshme) që ndodhen në Arkivin e Shtetit. Ka dokumente gjyqsore në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, dhe me sa di un ka disa persona privat që zotnojnë pjesë prej letërkëmbimit, si dhe materiale të tjera. Ajo që nuk gjindet sot prej krijimtarisë së tij asht përkthimi i plotë i "Faustit" të Goethe-s, si edhe përmbledhja me titullin "Kujtime e përshtypje". Me ketë rast i baj thirrje pinjojve të familjes që u vendos - menjiherë mbas bastisjes prej partizanëve - në shtëpinë e Shantojës në Tiranë, që t'ia dorzojnë Arkivit të Shtetit, edhe në mënyrë anonime, materialet që mund të kenë ruejt. Kjo gja do të shërbente jo thjesht me shlye nji padrejtësi të asaj kohe, por me i ba nji shërbim kujtesës historike të kombit tonë, i cili qëndron ma nalt se partitë, rrymat apo histerinat kolektive.
Sa për marrdhanjet e qytetit të lindjes, Shkodrës, me Lazër Shantojën, e kam shkrue edhe tek ky numër i Hyllit. Në gjysmën e prillit të këtij viti i shkrova nji letër këshillit bashkiak Shkodër, ku mbasi i paraqitshe veprën e këtij shkrimtari të shquem, i kërkojsha me i kushtue diçka poetit shkodran, nemos tjetër në shenjë miradijet ndjellamire për ne. Kanë kalue muej të tanë qysh prej letrës seme e kanë kalue vite qysh se ka ra komunizmi, por kurrkujt prej atyne që duhet të kujtoheshin nuk i ka ra ndërmend për të.
Ndoshta heshtja e tyne flet ma shumë se fjala jonë, ndoshta Shkodra sot nuk ka asgja të denjë për me i kushtue Shantojës, edhe pse Lazër Shantoja ka qenë gjithmonë i denjë për Shkodrën e vet.
Por nuk asht e vetmja harresë e këtij qyteti ndaj figurave të shqueme të së kaluemes. Simjet, për shembull, asht 150-vjetori i lindjes së Filip Shirokës dhe askush nuk asht kujtue për të. Shpresojmë të kujtohen tashti!
Ky numër përmban edhe dokumente të fashizmit rreth Mustafa Krujës. "Shekulli" ka botuar një cikël shkrimesh albanologjike, gjuhësore e politike prej tij. Përse është fjala tek këto dokumente të fashizmit.
E përkohshmja jonë asht mundue me nxjerrë në dritë fakte historike, pra dokumente me vlerë historike, që mund t'u shërbejnë nji të nesërme studjuesve të drejtuem prej nji metode shkencore për me shkrue historinë e shqiptarëve. Nuk jam naiv sa të dëshiroja nji "histori objektive", por e kam fjalën për përpjekjen e domosdoshme për nji histori ma objektive dhe ma shkencore sesa ajo që kemi.
Në këtë kuadër kemi botue disa dokumente të fashizmit, ma saktë raporte sekrete të Jacomoni-t, ku flitet për marrdhanjet dhe për financimin nga ana e Mustafa Krujës të komunistit Petro Marko.
Në to flitet për deponime dhe hetuesina të Petro Markos, si edhe për hetime tjera të autoriteteve fashiste, prej të cilave del se Mustafa Kruja e shihte fashizimin si diçka kalimtare dhe se objektivi i tij ishte me u lirue prej Romës dhe me u ba rishtas të zotët e vetes. Kjo ishte ideja që kishin krijue hierarkët fashistë për Mustafa Krujën. Besoj se në ketë rast, për të dhanë nji gjykim historik sa ma të plotë mbi këtë protagonist të historisë sonë të gjysmës së parë të shek. XX, duhet të mbajmë parasysh edhe këto fakte. Pra, siç e shihni, qëllimi nuk asht as me zhdoganue fashizmin as me shenjtnue ndokend, edhe pse ndaj fashizmit pararendësit tanë të "Hyllit" kanë mbajt qëndrim të premë kritik, tue mos lejue mësimin e edukatës fashiste në shkollat françeskane. Këtu ne duem thjesht me i dhanë secilit atë që meriton, siç thotë Ciceroni: "unicuique suum".
Me kaq përvojë sa ke në krye të "Hyllit", çfarë përbën sfidë në drejtimin e saj sot dhe në të ardhmen.
E kam marrë "Hyllin e Dritës" i shtymë e i mbështetun prej At Zef Pllumit, me idenë se shpresat e shkencës shqiptare mbështeten tek brezi ma i ri, sidomos tek ata që kanë krye studimet në Perëndim, në këto dekadat e fundit. Bashkëpunimi me të rinjtë dhe me studiuesit e huej ka dhanë frytet e veta. Prej vitit 2006 kanë dalë rregullisht 4 numra në vit, që bajnë gjithsejt 2 722 faqe. Por vlerësimi në botën akademike perëndimore si edhe në atë shqiptare ka të bajnë me cilësinë e kësaj reviste, e cila simbas gjykimit të specialistave, vijon me qenë e vetmja tribunë e denjë shkencore në botën shqiptare.
"Hylli i Dritës", si ndërmarrje kulturore përballet me sfidat e veta sot. Un mendoj se sfidat ma serioze lidhen me gjetjen e rrugës për tek lexuesi, me ruejtjen e standardeve shkencore, me thithjen e talenteve të reja në fushat e ndryshme të shkencës, si edhe me fjalën autoritare në lamijet përkatëse - tue ndejt gjithnji të pamvarun nga politika e madje tue mbajt nji qëndrim kritik ndaj të gjitha forcave, mbasi qëllimi dhe ideali jonë nuk asht nji parti e caktueme, por vetë Shqipnia. Françeskanëve shqiptarë nuk u mungon vullneti me e mbajt gjallë ketë pishtar, edhe ne të tjerëve gjithashtu, shpresojmë se do të mund ta vijojmë traditën që themeloi At Gjergj Fishta në vitin 1913, tue ba që "Hylli" të ndriçojë pa prâ në qiellin e letrave shqiptare.
FËMI SHQIPTAR NË LULISHTE T'HUEJA
Lazër Shantoja
Revolucjonet janë porsi valët e detit: kur ky âsht në tallaz, valët e tija hjedhin në breg gjithshka: direkë barkësh të mbytuna, rrathë fuçiash, kufoma t'ajuna e të perçudshme, portogala e molla të kalbëta, kutia konservash etj., por nga thellinat e tija mâ të pastra deti nxjerrë e qet në breg dhe goca (midje) gjith trajtash e gjith ngjyresh. Gocat e shtruemuna mbi ranen e imë të duken porsi dele në minjaturë në nji livadh orësh e zanash... Oh gocat, bijat e shkumbës, frytet e duhisë!...
Kush nder ne kur ka kênë i vogel nuk âsht argtue me mbledhun këso gocash në breg të detit, me mbushun xhepat plot me to, me i ruejtun mbi nji shkritore, ma vonë porsi pomendoret e vogla të nji kohes së madhe, misterjoze, këto goca, pallate fildishi peshqish prrallzorë?
Duhia e revolucjonit të dhjetorit 1924 qiti në bregun e mergimit goca të tilla: fëmi të njomë e të bukur qi nuk kishin xânë ené me shqyptue mirë êmnin e Shqipnisë e qi Shqipnia, asé ma mirë Herodi i sajë, dëbonte larg pse fëmi babash e nanash qi kishin guximin mos me u djegë kêm putavet të trathtisë e të tiranisë. Larg algavet gjelbroshe t'atdheut i u desht edhé këtyne fëmivet, në gjasimin e gocavet të detit, m'u rritun mbi ranen e djegun të mergimit... fëmit e babavet e nanavet shqiptare!...
... Ishte nji ditë prendvere. Po bahen gadi tri vjet. Kalimegdani, parku i Belgradit, ishte në lule. Era e kandshme të blivet të lulzuem e parfumi i fortë qi emanonte nga vesha e nga mishi i çupavet në sheti, perbashin nji miksturë të çuditshme: natyrë dhe hart; asé ma mirë, natyrë dhe industri... Ishte nji e diele mbasdite. Dita dhe koha më mërzitshme për ata qi gjinden në dhe t'huej. Vetrinat e tregtorevet të mbylluna të duken porsi dyer burgut. Nëpër Knez Mihajlova ulica nuk sheh veç se ndoj tubë katundaresh me kostume kombëtare t'ardhuna nga fshatet rreth Zemunit dhe Pançevos. Bota tjetër ka marrë malet e fushat. Nder këto dit gjyteti del në katund e katundi vjen me u mërzitë në gjytet. Por u duket se dishka bajnë... Ndrrojnë!
At ditë diele mbasdite po shëtitshim nëpër Kalimegdan. Tre miq, dy nana, dy fëmi. Miqt diskutoshin (a âsht nevoja të thom...) mbi politikë, nanat mbi shka kan zakon me folë nanat, (në Shqipni thonë: mos u bâftë kurr se shka mendon nana); e fëmitë? Oh fëmitë! Ata ishin të vetmit qi pa e dijtun, gëzoshin përnjimend at ditë prendvere. Njêni ishte nji vjetit o dishka mâ teper dhe pushonte mbi jestekë puplash në nji karocë të vogël, elegante. Tjetri, katër o pes vjetsh, shtyente me duert sa grima karocën e shoqit të tij të vogël.
Njenit i thoshin Genc e tjetrit Ndue. Njeni ish toskë e tjetri gegë: njeni muhamedan tjetri katolik: njeni djalë i nji babe emigrant e tjetri djalë i nji nëpunsi t'Ahmed Zogut. Me gjithket Genci e Ndou ishin si dy vllazën; ishin fëmi shqiptar. Fëmitë, o të lumët ata, nuk janë veç se shqiptar e nuk i danë kurrgja: kur të rriten, mandej dalin për fushë konceptet qi janë grindja e të mëdhajvet e humbja e atdheut. Genci ishte nji pllumb, Ndou nji trumcak. Syet e kaltërt, flokët e arët, faqet bardh e kuq, me nji gurabi në dorë. Tjetri flokëzi, syezi, nuk xênte vênd kurrkund. Genci qeshte e Ndou kcente. Ishin dy kanarina në nji kafaz plot lule.
Rrezet e diellit në prendim kishin prarue në të kuq mbajet e kumbonaret të Zemunit e kodrat e Topçiderit. Hîme në gjytet, në zhurmën e automobilavet, në dritën e elektrikavet, në salat e koncertavet, në restaurantat plot tym duhani, taft shlive, erë qepësh e xhevapçiçësh të perzhitun...
Vjolinat mêrrshin: Imam jednu elju!... Belgrad!
Kanë kalue tri vjet. Në këto tri vjet Ndou e Genci janë rritë. Genci ka lanë karrocen, ka xanë me folë serbisht, italisht, germanisht (shqip po se po): ka kênë në Tetovë, në Zara, në Dubrovnik, në Sarajevë, në Graz, prej kah vjen e shkon në Vjenë. Ka veshë nji gazhub gëzof të bukur e të tanë e duen e të tanë e puthin. (Para se të puthin kend, shine buzët, e, mbasi t'a puthin kush, shinë faqet.) U duket t'huejvet se nji fëmi shqiptar nuk mundet me kênë kaq i bukur. Ka xanë me thanë se Ahmedi âsht trathtor e se zotëni Vukotiçi asht rrencak. (Shka nuk din fëmia...) Lot n'oborr me pula, u lidhë k