E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, qeveria heq licencat e profesioneve

Ata që diplomohen tani do të marrin licencën vetëm me një provim. Si do të veprohet me "profesionistët" e vjetër


TIRANË- Qeveria heq sistemin e licencave për një sërë profesionesh që në thelb kanë shërbimet ndaj publikut, ndërsa për të përfituar të drejtën e ushtrimit të profesionit, të gjithë ata që do të diplomohen pas miratimit të këtij projektligji duhet që më parë t'i nënshtrohen një provimi.


Ky vendim i miratuar në mbledhjen e djeshme ndryshon sistemin e licencave dhe prek, përveç të gjithë studentëve të rinj që diplomohen por edhe mijëra mjekë, farmacistë, avokatë, etj që kanë marrë licencë prej vitesh. Deri më tani secili profesion kishte procedurën e tij për marrjen e licencës ndërsa tashmë gjithçka do të jetë në dorë të një komisioni të veçantë.


"Duke adaptuar standardin më liberal dhe duke hequr licencat për këto profesione, si ai i mjekut, farmacistit, avokatit dhe një seri profesionesh të tjera, ne rregullojmë me ligj raportet e këtyre profesioneve me publikun", - tha në mbledhjen e djeshme kryeministri Berisha.


Të prekur nga ky ndryshim, do të jenë studentët që diplomohen në degë që kanë të bëjnë me shërbimin ndaj publikut, si mjekësi, avokati, farmaci, inxhinieri dhe arkitekturë.


Kështu, pas marrjes së diplomës, këta të fundit do të futen në një provim, i cili në projektligjin në fjalë cilësohet si "Provimi i shtetit", pas të cilit do përfitojnë të drejtën e ushtrimit të profesionit të tyre. "Ky provim ka ekzistuar dikur në shkollat në Shqipëri dhe ekziston në çdo vend.


Vërtet mbaron shkollën, por ke nevojë që, para se të marrësh të drejtën e ushtrimit të profesionit, të bësh një praktikë në një kohë të caktuar. Një praktikë të tillë e bëjnë mjekët, të cilët nuk e ushtrojnë profesionin pa një stazh praktike pranë një klinike apo mjeku me eksperiencë, por tani kjo kodifikohet. Para se të ushtrosh profesionin e të njihesh si profesionist në atë fushë jep edhe një provim",- tha kryeministri.


Sipas këshilltarit të kryeministrit për Arsimin, Myqerem Tafaj, ky ligj prek vetëm ata të cilët diplomohen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, ndërsa ata të cilët tashme kanë një licencë për ushtrim të profesionit, nuk janë subjekt i këtij ligji. "Personat që kanë një licencë e kanë marrë një vlerësim tashmë", - u shpreh ai.


Pavarësisht kësaj, miratimi i një ligji të tillë pritet të krijojë dy lloje të "licencuarish". Ata që e kanë pasur më parë një licencë dhe ata që e përfitojnë të drejtën e ushtrimit të profesionit pas futjes në provimin e shtetit. Sipas Tafajt, kjo situatë mund të zgjidhet me anë të dispozitave ligjore.


Provimi për përfitimin e të drejtës së ushtrimit të profesionit do të organizohet nga një komision i posaçëm. Sipas Tafajt, komisioni, i cili do të testojë studentët e sapodiplomuar, do të përbëhet nga një përfaqësues i fakultetit të cilin studenti ka mbaruar, një përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, përfaqësues nga Ministria e linjës që studenti ka përfunduar studimet, një tjetër nga urdhri i profesionit që ai ka zgjedhur.


Për shembull nëse studenti është diplomuar në mjekësi, krahas përfaqësuesit nga Fakulteti i Mjekësisë dhe nga MASH-i, të pranishëm në komisioni do të jetë edhe një i dërguar nga Ministria e Shëndetësisë dhe një përfaqësuesi i Urdhrit të Mjekut.


Sipas kryeminstrit Berisha, Ndryshe nga provimet e zakonshme, provimi në fjalë do të zhvillohet në mënyrë dixhitale. "Ne nuk mund të vendosim provime të tjera përveç provimit dixhital, që është plotësisht i mundshëm. Modele të tilla ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera", - tha ai.


Avokatët: Ne kemi ligjin tonë

Projektligji për "Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë", i miratuar mbledhjen e djeshme të qeverisë ka lënë "pa fjalë" Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Kryetari i saj, Maks Haxhia, është shprehur si ishte krejt i pa informuar për këtë projektligj të miratuar nga qeveria.


Edhe pse avokatët janë një nga pjesët kryesore të ligjit dhe grup interesi, ata nuk janë kontaktuar më parë në lidhje me të. Hartuesit e ligjit, ashtu siç kanë bërë me ligje të tjera, nuk kanë kontaktuar për t'i marrë mendim askujt prej grupeve të interesit por thjesht kanë paraqitur projektligjin në qeveri.


Në lidhje me vendimin e djeshëm, Haxhia u shpreh "Avokatia është me ligj të veçantë për avokatinë dhe nuk e di se çfarë mund të rregullojë ky ligj i ri. Të gjithë duhet të kenë parasysh se avokatia është një profesion shumë kyç pasi pa të nuk funksionon drejtësia. Nëse nuk ka avokatë nuk punon dot as prokuroria e as gjykata.


Avokatët janë një nga bazat e shtetit",- tha dje Haxhia. Sipas tij, shteti shqiptar ka një ligj për avokatinë dhe projektligji i ri mund të jetë në kundërshti me të. "Nuk di se çfarë të them më shumë pasi nuk e kam parë ligjin, nga ju po e mësoj. Kur të shoh ligjin konkretisht mund të jap shpjegime më të qarta",-pohoi Haxhia.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›