Shorti i pasurive, 7 deputetë dhe 36 gjyqtarë e prokurorë në “rrjetë”
Tiranë- Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive publikoi dje listën me 188 zyrtarët që do t’i nënshtrohen verifikimit të plotë të pasurisë. Shorti elektronik, i zhvilluar dje në praninë e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, përzgjodhi 44 punonjës të Tatimeve e Doganave, 14 prokurorë, 22 gjyqtarë, por edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe zyrtarë të tjerë. Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive njofton se do të hetohen imtësisht pasuritë e deputetëve Edi Paloka, Aldo Bumçi e Luan Skuqi nga Partia Demokratike dhe Tom Doshi, Qemal Minxhozi e Ermonela Felaj nga Partia Socialiste. Pjesë e listës së zyrtarëve që do të verifikohen janë dhe Dëshira Subashi, anëtare e KQZ-së; Gjergj Bojaxhi, ish-drejtor i Inspektoriatit të Ndërtimeve; dhe Lindita Nikolla, kandidate për minibashkinë nr.1 në Tiranë. Listës nuk i ka munguar as emri i Shemsi Premçit, komandantit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, i lakuar së fundi për konfliktin me zv.ministrin e Brendshëm, Avenir Peka, gjatë incidenteve të fushatës në Bathore. Pak përpara hedhjes së shortit, ambasadori OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth tha se lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri është një prej prioriteteve të misionit që ai drejton. “Nga disa raporte, përfshi atë më të fundit nga Komisioni Europian, të gjithë ne e dimë që korrupsioni mbetet një problem dominues në shumë sektorë, pavarësisht paraqitjes së një sërë masave nga qeveria”, - tha Wolfarth në takimin me kreun e ILDKP-së, Adriatik Llalla. Ai u bëri thirrje votuesve të ndëshkojnë korrupsionin me votën e tyre. “Zgjedhjet mundësojnë që votuesit të ngrihen kundër korrupsionit, duke treguar zero tolerancë. Në këtë kontekst, do të ftoja qytetarët të heqin dorë nga tradita shqiptare e pasjes së një besnikërie të verbër ndaj partive. Në vend të kësaj, përdorni 8 Majin, si një mundësi për të hedhur votën tuaj për kandidatët lokalë, që të demonstrojnë një angazhim të fortë të transparencës dhe qeverisjes së mirë”, -u shpreh Wolfarth. Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP-së, Adriatik Llalla, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me publikun, u shpreh në takim se gjatë vitit 2010 numri i rasteve të denoncuara nga publiku për zyrtarë të përfshirë në konflikt interesi është shumëfishuar. “Falë ndërgjegjësimit të medias, shoqërisë civile dhe publikut të gjerë, edhe rezultatet konkrete të Inspektoratit të Lartë kanë qenë më të larta në planin sasior dhe cilësor” - tha ai. Më tej, Llalla theksoi se dëshira e mirë e opinionit për bashkëpunim me Inspektoratin e Lartë e nxit ILDKP-në të vazhdojë me këmbëngulje të përhershme misionin e saj. Prej zgjedhjes rastësore përmes kompjuterit nga lista e 4 692 zyrtarëve që kanë deklaruar pasuritë, janë përzgjedhur ata të cilët duhet t’i kalojnë pasuritë e deklaruara në sitën e ILDKP-së. Në fjalën e tij kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla, u shpreh se, falë denoncimeve nga publiku dhe media, përgjatë vitit 2010 rastet e hetimit të zyrtarëve publikë janë shumëfishuar. “Në vijim të këtij bashkëpunimi, pas pak ditësh, Inspektorati i Lartë do të bëjë publike rezultatet e procesit të dorëzimit dhe administrimit të deklaratave të pasurive nga zyrtarët deklarues, masat që do të merren ndaj atyre zyrtarëve që nuk kanë respektuar afatet ligjore si edhe do të nisë publikimin e deklarimeve bazuar në kërkesat e të gjithë të interesuarve”, - tha ai.