Tre regjisorë, me “staf të pazakontë”
“Shenja mbi ekran” është një cikël me katër filma të shkurtër, realizuar nga regjisorët Kledi Kapexhiu, Ibrahim Mucaj dhe Erard Gjermani, të cilët kanë drejtuar një staf “të pazakontë” në krah të tyre. Rreth 26 persona me aftësi të kufizuara janë përfshirë në realizimin e filmave “Drita e shpirtit”, “Një ëndërr me dy rrota”, “Tre miq” dhe “Një hap”, që do të shfaqen premierë në kinema “Millennium” më 14 tetor.
Puna për këta filma ka filluar që në muajin korrik të këtij viti, kur personave që nuk shikojnë, nuk dëgjojnë dhe atyre paraplegjikë u janë dhënë disa leksione dhe njohuri mbi gjuhën audio-vizuale, për të vazhduar më pas me xhirimin e katër filmave me metrazh të shkurtër, krijuar nga historitë e sjella nga vetë personat e përfshirë në projekt. Edhe procesi i krijimit është regjistruar në një dokumentar që titullohet “Shenja mbi ekran”. Artistët që kanë udhëhequr këtë projekt të organizatës “Akt” dhe të mbështetur financiarisht nga Ambasada Holandeze besojnë se u kanë dhënë mundësi personave me aftësi të kufizuara, të shfrytëzojnë gjuhën unike të filmit për të shprehur sa më mirë ndjenjat, mendimet, idetë, dëshirat apo qëndrimet e tyre.
Pas shfaqjes në kinema “Millennium”, filmat do të projektohen edhe në sheshe të hapura të metropolit. Filmi i parë, “Drita e shpirtit”, e merr historinë nga një grup personash të verbër, të cilët nisen për një udhëtim. Gjatë rrugës njihemi me secilin prej tyre. Në pak çaste jeta e tyre na shfaqet para syve, derisa arrijnë aty ku për një moment të gjithë gjejnë lirinë dhe pafundësinë. Episodi i dytë “Një ëndërr me dy rrota” frymëzohet nga djaloshi që zgjohet nga një ëndërr, në të cilën ishte duke parë veten tek ngiste biçikletën. Ai nuk shikon, është i verbër. Bashkë me motrën e tij presin mikun e tyre, i cili ka një biçikletë. Pas njohjes së parë me biçikletën asgjë s’është më një ëndërr.
Dy të rinj përgatiten me kujdes për t’u takuar atë ditë. Sapo shihen, djali kujtohet se ka harruar diçka në shtëpi. Çantën! Pasi e merr atë, të dy bashkë blejnë diçka në dyqan, pikërisht atë që është arsyeja e vërtetë e përgatitjes së asaj dite - kjo është ngjarja tjetër reale e përgatitur në produksionin e shkurtër “Tre miq”.
Çfarë e bën të rëndësishme jetën, nganjëherë qëllon të jetë një hap. Titulluar “Një hap”, ngjarja tjetër është me një grua që më në fund vendos të dalë nga shtëpia dhe të shkojë aty ku ka dashur gjithnjë dhe s’ka mundur më parë. Rruga është e gjatë, e vështirë, aq sa një hap duket një jetë, por miqtë mund të gjenden kudo.
“Shenja mbi ekran” përmbledh kështu tre grupe personash me aftësi të kufizuar, që nisin një punë të gjatë e të vështirë për realizimin e katër filmave të shkurtër. “Askush nuk e di me të vërtetë se kush është rruga e duhur, por në fund, është puna ajo që gjithnjë të shpërblen”, - mbi këtë ide, tre regjisorët Kapexhiu, Muçaj dhe Gjermani na prezantojnë të mërkurën çfarë ndodh përtej njerëzve normalë.