E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tafaj paralajmëron reformë të re në universitete



Fillimi i vitit të ri akademik u “shfrytëzua” nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, për të lançuar për herë të parë reformën e re të sistemit arsimor universitar, që ka të bëjë me financimin dhe cilësinë. Duke folur nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, në Kamëz, ministri Tafaj paralajmëroi reformën e përgatitur nga dikasteri të cilin drejton, që ka si kryefjalë rritjen e cilësisë universitare.

Vetëfinancimi

“Ka ardhur koha për këtë sfidë! Sistemi i arsimit të lartë ka ndryshuar tërësisht me realizimin e reformës së Kartës së Bolonjës dhe sistemi i financimit nuk i përgjigjet më realitetit. Arsimi i lartë duhet të thithë të gjitha investimet e buxhetit të shtetit”, - tha ministri Tafaj, duke shtuar: “Për modelin e ri të financimit ka marrë mbështetjen e Kryeministrit Berisha. Në bashkëpunim edhe me Kuvendin shqiptar, kjo reformë do të jetë gati për zbatim”.

Reforma përmban edhe një element të rëndësishëm, sipas ministrit, që ka të bëjë me partneritetin ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat.

Cilësia

Pas liberalizimit të universiteteve dhe çeljeve të dhjetëra institucioneve private të arsimit të lartë, tashmë është koha e cilësisë, sipas ministrit Tafaj. “Së shpejti një kompani e huaj fillon punën për të përcaktuar standardet mbi bazën e të cilave do të bëhet klasifikimi i universiteteve dhe i diplomave shqiptare për nga cilësia e tyre. Deri në fillim të vitit tjetër akademik, pritet përfundimi i klasifikimit të universiteteve shqiptare, publike e private, për nga cilësia dhe niveli i tyre”, - deklaroi ministri.

Një pikë tjetër kyçe e reformës do të jetë rritja e numrit të pedagogëve dhe të mjediseve universitare, pas “bumit” të vitit të kaluar me punësimin e afërsisht një mijë pedagogëve të rinj dhe rikonstruktimin e kampuseve universitare në disa institucione të arsimit të lartë në rrethe. Porse edhe “dy programet e qeverisë, “Fondi i Ekselencës” dhe “Brain Gain” kanë dhënë frytet e tyre, - deklaroi ministri i Arsimit. - Kemi mbi 50 doktorantë të rinj që tashmë kanë filluar studimet për doktoraturë në universitetet nga më të mira të botës dhe mbi 80 asistentë dhe pedagogë që janë kthyer dhe janë rekrutuar në universitet tona publike dhe private”.

Rreth 30 mijë studentë nisën për herë të parë studimet me kohë të plotë e të pjesshme në të gjitha ciklet e studimeve, ndërkohë që numri i përgjithshëm i studentëve për këtë vit akademik arrin në mbi 100 mijë.

Pikat bazë të reformës

Partneritet publik-privat

Rritja e vetëfinancimit të universiteteve

Thithja e të gjitha investimeve nga buxheti

Klasifikimi brenda vitit i universiteteve

Rritja e stafeve dhe mjediseve

Mbështetja e mëtejshme ndaj “Fondit të Ekselencës” dhe “Brain Gain”-it

Kryeministri Berisha

Po në Universitetin Bujqësor, përshëndeti edhe Kryeministri i vendit, z. Sali Berisha. Gjatë fjalës së tij ai nënvizoi se dita e djeshme ishte “një ditë e rëndësishme për botën akademike”, si dhe shprehu kënaqësinë se gjatë këtij fillimviti “ulen për herë të parë në auditorë 30 mijë studentë të rinj”. Në këtë universitet me profil bujqësor, Kryeministri theksoi se “objektiv i qeverisë është dyfishimi i prodhimit bujqësor dhe Shqipëria ka nevojë për kontributin e studentëve dhe pedagogëve të këtij universiteti”.

Presidenti Topi

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, uroi dje studentët e universiteteve publike dhe private në vend për një vit të mbarë akademik. Në ditën e parë të vitit akademik 2009-2010, Presidenti Topi ishte në Akademinë e Arteve në Tiranë, një institucion që ai e konsideroi "një pasuri të jashtëzakonshme për vendin". “Përshëndes artistët që kanë dalë nga akademia”, - tha Presidenti Topi, duke nënvizuar se artistët shqiptarë janë integruar në botë. Kreu i shtetit vuri në dukje se Akademia ka mbështetjen e padiskutueshme të MASH-it.

Xhixho

Lëvizja Socialiste për Integrim përshëndeti dje fillimin e vitit të ri akademik 2009-2010. Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho, tha se: “LSI dhe LRI u urojnë studentëve një vit të mbarë dhe që ky vit të jetë një hap përpara në avancimin e nivelit të mësimdhënies në të gjitha universitetet tona”. Sipas saj, “sistemi universitar ndodhet përpara sfidave të mëdha që kanë të bëjnë me rritjen e nivelit, shtrirjen e sistemit, zgjerimin e tij si dhe të një bashkëjetese të shëndetshme midis sistemit publik dhe atij privat”.

Shamku

Partia Socialiste uroi dje studentët për vitin e ri akademik 2009-2010. Deputetja e PS-së, Ledi Shamku, tha: “Sot mbi 30 mijë djem e vajza nga e gjithë Shqipëria nisin rrugën e shkollimit të lartë, me ambicien dhe vullnetin për t’u bërë burra e gra të zot për veten, familjen dhe krejt shoqërinë”. Shamku, shtoi më tej: “Partia Socialiste është sot në krah të këtyre të rinjve, të cilëve do t’u duhet të përballen me vështirësi jo të vogla si pasojë e rrënimit të sistemit universitar e si pasojë e mungesës së respektit të shtetit ndaj ëndrrës dhe investimit të tyre”.

Kryeparlamentarja Topalli

Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, uroi të gjithë studentët për fillimin e vitit akademik nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës. “Shteti do të kthejë më shumë sytë nga shkencat ekzakte, - tha kryetarja e Kuvendit, - në mënyrë që të shihen si një karrierë e admirueshme dhe të kërkueshme nga të rinjtë". Kryetarja e Kuvendit falënderoi dhe shprehu mirënjohjen e thellë për pedagogët dhe të gjithë lektorët që kanë ushqyer dashuri për shkencën dhe respekt për këtë profesion, breza të tërë studentësh të këtij fakulteti dhe u uroi suksese të rinjve që sapo kanë filluar studimet.

Akademia e Arteve nderohet me urdhrin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nderoi dje me urdhrin "Mjeshtër i Madh" Akademinë e Arteve, që kreu i shtetit e konsideroi "një pasuri të jashtëzakonshme për vendin". "Shumë mirënjohje për të gjithë brezat që kontribuuan në krijimin e historikut të këtij institucioni të arsimit të lartë, që ka pasur meritën e formimit të profesionistëve të artit dhe personaliteteve me reputacion të spikatur në fushën e artit, brenda dhe jashtë vendit", - thuhet në motivacionin shoqërues të titullit, akorduar nga kreu i shtetit. Rektori Malaj, në fjalën e tij, vlerësoi se Akademia e Arteve është një laborator i vërtetë i artit, që shoqërohet nga debati dhe produktiviteti artistik. "Institucioni ynë po shkon drejt reformimit, përmes projekteve mbështetëse të Ministrisë së Arsimit, që synojnë ta kthejnë Akademinë në modelin e shkollës së hapur", - tha rektori Malaj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›