E Diel, 1 Nëntor 2026

Imuniteti, Majko: Jo në 6 gusht, ndryshimet kushtetuese në shtator

TIRANE - I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, deputeti socialist Pandeli Majko konfirmoi vendimin e PS-së për të mos votuar në 6 gusht për heqjen dhe kufizimin e imunitetit të zyrtarëve.

Sipas Majkos, ndryshimet në Kushtetutë nuk mund të diskutohen dy herë brenda një muaji dhe sipas tij, kërkesa e PS-së për të votuar në shtator të gjithë paketën e ndryshimeve në ligjin themeltar është e pranueshme.

“Data 6 është bërë si provë force, për të treguar kush është burri më i fortë. Eshtë arritur një konsensus dhe le të logjikojmë me një logjikë të fortë dhe jo me logjikën e temperaturave të larta. Ne do të votojmë nen për nen të gjitha ndryshimet që kemi rënë dakord.”- u shpreh Majko. 

Nuk kemi bërë opozitën më të shkëlqyer
Majko është ndalur të komentojë veprimtarinë politike të 7 viteve të opozitës, ndërsa tha se gjithmonë një forcë politike ka gjëra për të ndryshuar.
“Nuk kemi bërë opozitën më të shkëlqyer, por ka vend për ndryshime, ndoshta njerëzit e duan më të fortë, por në sjelljen e opozitës në këto 7 vite nuk ka sjellje të pariparueshme”, tha ai. 

Majko: PS në 2013 për një koalicion të gjerë
Socialisti Majko deklaroi ndër të tjera se Partia Socialiste ka plan të krijojë një koalicion të gjerë opozitar që të mund të rrëzojë qeverinë. 
Duke folur për aleatët aktualë, Majko tha se, “Nuk mendoj që ne duhet të ndjehemi pishman, me aleatët nuk ka kontrata rri me mua ose shko atje, nuk duhet parë në nivelin e tregtisë. Duhen parë balancat, se çfarë përfiton nga bashkëpunimi ose jobashkëpunimi. Ne duam të krijojmë një hapësirë sa më të gjerë koalicioni, nuk duam që partitë opozitare të shkojnë të ndara në zgjedhje, duam një koalicion të madh. Ndryshe rrezikojmë që doktor Berisha të dalë pas zgjedhjeve dhe të thotë që do qeverisë vendin dhe 4 vite”, tha ai. 

Refuzimin publik të FRD dhe AK për bashkëpunim, Majko e cilësoi diçka normale, ndërsa la të kuptohet që Partia Socialiste do këmbëngulë për negociata të reja me këto forca politike.
“E kam pritur edhe unë refuzimin paraprak, kjo ishte një ftesë publike, ka ende kohë, duhet negociuar kjo ftesë. Do ketë zhvillime në ditët që vijnë. Opozita nuk do jetë e ndarë. Krijimi i një koalicioni shumë të madh, nuk është ëndërr në diell, duhet detajuar në vazhdim, do njerëz që të ulen në tavolinë dhe të negociojnë”, shtoi ai.
Për Majkon një fitore e PS në zgjedhjet e vitit 2013 nuk është vetëm një fitore e saj por edhe e opozitës, sic tha ai. “Çështja e koalicioneve është e hapur”, deklaroi ai. 

‘Përgjimet’, Min.Mbrojtjes t’i përgjigjet opozitës
I pyetur në lidhje me akuzat e fundit të PS-së për përgjimin nga SHIU të socialistëve dhe ambasadorëve të huaj, Majko theksoi se opozita kërkon që Ministria e Mbrojtjes të japë përgjigje në mënyrën më të strukturuar për këtë çështje.

“Ministria e Mbrojtjes duhet të japë përgjigje, të sjellë kopjet e ligjeve, informacionet. Një zyrtar i lartë, e kam fjalën për ministrin e Mbrojtjes, duhet të ballafaqohet me qetësi.”- u shpreh Majko.

(er.nu/m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›