E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre të vdekur afër Mleqanit, policia e trafikut merr masa shtesë

Prishtinë, 11 gusht  - Gjatë 24 orëve të fundit ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet dhe 18 aksidente me lëndime trupore. Si pasojë e aksidentit me fatalitet të ndodhur në rrugën Kiev - Mleqan të Malishevës, tre persona kanë humbur jetën dhe katër te tjerë kanë pësuar lëndime. Sipas informatës së policisë, ky aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:43, kurse në të kanë qenë të përfshira dy vetura civile. Aksidenti ka ardhur si pasojë e tejkalimit të shpejtësisë dhe mospërshtatjes kushteve të rrugës, me ç'rast si pasojë e lëndimeve të marra tre persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë kanë pësuar lëndime.

Duke vërejtur këtë numër të aksidenteve brenda 24 orëve, si dhe aksidenteve te ndodhura gjate këtyre muajve, Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët qarkullojnë në rrugë me ose pa automjete, të bëjnë kujdes dhe të tregohen të vëmendshëm në zbatimin e normave të sanksionuara me ligjin për sigurinë e komunikacionit rrugor.

PK-ja po ashtu bën me dije se njësitet e trafikut dhe njësitet patrulluese të saj, në kuadër të planeve konkrete gjatë patrullimeve edhe me vetura civile, do të ashpërsojnë masat e gjobitjes e kjo nënkupton që nuk do të ketë kurrfarë tolerance për kundërvajtësit, të cilët nuk i respektojnë rregullat e trafikut rrugor, në veçanti sa i përket tejkalimit të shpejtësisë. 


Në kuadër të këtij plani, nga sot dhe ditëve në vijim do të ketë njësite policore në lëvizje dhe pika kontrolli shtesë me automjete civile të njësiteve të trafikut dhe të gjithë pjesëmarrësit që nuk i respektojnë dispozitat e ligjit për sigurinë e komunikacionit rrugor do të gjobiten, ndërsa në raste të caktuara, siç është e paraparë edhe me ligj, do të merren edhe masa tjera.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›