E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre të vdekur, dhjetëra të lënduar

Tre persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë marrë lëndime trupore gjatë njëzetekatër orëve të fundit në aksidente trafiku.

Të dhënat policore tregojnë se kohët e fundit është shtuar dukshëm numri i aksidenteve me pasoja fatale.

Sipas policisë, një aksident fatal ka ndodhur dje në fshatin Korroticë të Drenasit, ku një veturë e tipit “Audi 80” ka goditur një femër derisa ishte duke ecur rrugës.

Ajo është transportuar në QKUK, ku nga mjekët kujdestar është konstatuar vdekja e saj. Me urdhër të prokurorit, tipi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, përderisa i dyshuari është arrestuar.

Ndërsa aksidenti tjetër ka ndodhur në fshatin Sfeqel të Podujevës, ku një 72-vjeçar humbi jetën, ndërsa katër të tjerë morën lëndime trupore. Në këtë aksident kishin qenë të përfshira dy automjete me targa civile.

Dhe aksidenti tjetër, sipas policisë, ka ndodhur në Grykën e Carralevës ku një person humbi jetën pas përplasjes mes një veture dhe kamioni.

Policia bënë të ditur se vetëm gjatë njëzetekatër orëve të fundit janë regjistruar tre aksidente fatale, 19 me persona të lënduar dhe 55 të tjera me dëme materiale./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›