E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Sondazhet e porositura të RTK-së

Radio-Televizioni i Kosovës, mbrëmë, një pjesë të mirë të edicionit qendror të lajmeve dhe pjesën qendrore të programit ia kushtoi një sondazhi të porositur nga PDK-ja, me kinse rezultatet për përkrahjen që kanë subjektet politike në Kosovë. Kështu ka konsideruar Lidhja Demokratike e Kosovës për një sontazh që LDK-në e radhisin poshtë PDK-së, nëse zgjedhjet do të mbaheshin tash.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar një sontazh i cili thotë se, nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot, atëherë Partia Demokratike e Kosovës do të merrte 31 për qind të votave të qytetarëve të Kosovës, kurse partia e dytë, me pesë për qind më pak vota (26 përqind), do të renditej Lidhja Demokratike e Kosovës.

“PDK-ja, “ekspertët” që paguan ajo dhe televizioni i saj, pasi, para pak kohësh, dështuan që ta manipulojnë opinion me një sondazh pa asnjë adresë, tani po provojnë të krijojnë klimë që e favorizon PDK-në”, thuhet në reagimin e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh indinjatën e saj për tendencat e tilla, siç konsideron kjo parti të manipulimit të qytetarëve dhe tërheq vëmendjen që praktika e tillë ka krijuar klimë për manipulimet në zgjedhjet e fundit në Kosovë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do ta vijojë punë e saj, do të rrisë edhe më tej përkrahjen dhe është e bindur se do të dalë parti e parë në Kosovë në zgjedhjet e vjeshtës së këtij viti. LDK-ja thekson se fituesin e zgjedhjeve do ta përcaktojë vullneti dhe vota e qytetarëve të Kosovës dhe jo shërbëtorët e paguar apo vullnetarë të PDK-së”.

Lidhja Demokratike e Kosovës fton mbështetësit e saj dhe qytetarët e Kosovës që të mos bien pre e manipulimeve të porositura nga PDK-ja. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›