E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre të vdekur nga zjarret në Spanjë

Tre persona humbën jetën gjatë një zjarri të madh, që shpërtheu në pjesën verilindore të rajonit spanjoll Kataloni, në afërsi të kufirit me Francën, kumtuan autoritetet lokale.

Siç njoftuan mediat spanjolle, një mashkull ka vdekur si pasojë e një infarkti, derisa është përpjekur ta shuajë zjarrin që është afruar deri te shtëpia e tij. Dy persona të tjerë humbën jetën, kur u detyruan të kërcejnë në ujërat e Detit Mesdhe, pasi zjarri përfshiu kolonën e automjeteve që qarkullonin në rrugën pranë bregut.

Sipas burimeve të spitalit, gjatë zjarrit janë lënduar mbi 100 persona, të cilët kanë marrë djegie dhe janë asfiksuar nga tymi.

Në shuarjen e zjarrit, i cili deri më tani shkatërroi mbi 7.000 hektarë sipërfaqe, janë përfshirë edhe 80 ekipe zjarrfikëse.

Autoritetet lokale i bënë apel banorëve të nëntë vendbanimeve në rajonin që u përfshi nga zjarri, hermetikisht t'i mbyllin shtëpitë e tyre dhe të mos dalin jashtë, sepse tani për tani është i pamundur evakuimi i tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›