E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre vjet në pritje të një aparati dëgjimi për tim bir

Ardiani me prindërit

Flet i ati i një prej fëmijëve që presin implantin koklear.

Ardiani, për pak muaj 5 vjeç,pa ndërhyrjen gjithë jetën i shurdhër.\

I ati i Ardianit doli të na priste në hyrje të Bathores. Po aq i gatshëm sa në telefon nuk pranoi të bisedonte me ne në kafene, por na mirëpriti në shtëpi. Do takojmë djalin, tha duke na hequr sikletin e pyetjes që po brenim gjatë gjithë rrugës: do të pranonte ta shihnim e ta nxirrnim në foto të birin apo jo? Derën na e hapi një fëmijë i zhdërvjellët rreth 5 vjeç. Me duar na ftoi të hynim brenda teksa sytë i shkëlqenin në të njëjtën kohë që disa tinguj gëzimi që erdhën prej tij na e ndalën pak hapin në prag. Ishte Ardiani për të cilin kishim ardhur. Ndoshta shqisa e të dëgjuarit i mungonte që në lindje, por përballë kishim një fëmijë gjithë jetë që na fliste me sy më shumë se çdo bashkëmoshatar i tij. I duhet shumë pak për të bërë një jetë normale si ata. Nuk ka ndonjë sëmundje të trashëgueshme që nuk i është gjetur ilaçi. Nuk ka nevojë as për ndonjë transplantim, i cili, gjithashtu, në ditët e sotme është pjesë normale e mjekësisë. I duhet vetëm një aparat dhe një ndërhyrje e thjeshtë kirurgjikale. I duhet implanti koklear. Kostoja e tij, për hir të së vërtetës, është e lartë. As një familje me të ardhura mbi mesataren nuk do të mundej ta përballonte aq lehtë pagesën prej 27 mijë eurosh. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Në të gjithë Europën dhe rajon shpenzimet e aparaturës i mbulon shteti. Te ne prej dy vitesh nuk është dhënë asnjë qindarkë. Por kjo është një tjetër histori. Në shtëpinë e Ardianit kemi ardhur të dëgjojmë kalvarin e pritjes gati 3-vjeçare. E rrëfen i ati dhe e ëma, Elvana, të cilët, ndonëse përpiqen të mbajnë lotët, e kanë të pamundur. Duan ta shohin të lumtur djalin e vetëm, njësoj si dy motrat e tij më të mëdha.
Zbulimi i defektit të lindur

Ardian Mustafaj, 5-vjeçari që pret implantin koklear

Dyshimet e para se djali nuk mund të dëgjonte na lindën kur mbushi 1 vjeç. Kisha zilen e telefonit dhe pashë që nuk i jepte asnjë lloj shenje, edhe pse ajo binte. E diskutuam në familje, por pastaj thamë të presim, pasi në çdo gjë tjetër ishte normal. Vazhduam me këtë histori 6 muaj, derisa shkova në spital, thotë Mustafa Mustafaj, i ati i Ardianit. Ai tregon se në vizitën e parë nuk ia gjetën diagnozën. Na thanë ka mish të huaj në hundë, do të operohet. Por pastaj një miku im më lidhi me një mjeke tjetër, e cila e ndjek tim bir edhe sot. Ne i themi doktoreshë Eda Beqiri. Bëmë një konsultë me mjekët italianë dhe rezultoi se djali e kishte problem të lindur, thotë i ati. Sipas tij, pas vizitës Ardianit iu vu një aparat të cilin e mbajti për 6 muaj, pastaj mjekët ishin të qartë: duhej patjetër implanti koklear. Kam dy vjet e gjysmë, gati tre që pres. Kur u bënë ndërhyrjet e para në vitin 2009 na u rritën shpresat. Pastaj u pezullua çdo gjë. Unë nuk kam ku ti gjej 27 mijë euro, se për tim bir jap edhe shpirtin. Por skam. Jemi burrë e grua pa punë, thotë Mustafai.
Limiti i moshës për ndërhyrjen
Ardiani për pak muaj mbush 5 vjeç. Mjekët i kanë thënë që duhet të bëjë sa më shpejt implantin koklear, pasi pas kësaj moshe është i vështirë rikuperimi i së folurës. Unë kam dërguar disa letra në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Kryeministri. Të them të drejtën, pas letrës së fundit, 3 muaj më parë, më mori në telefon nga Kryeministria këshilltarja e shëndetësisë dhe më tha se problemi do të zgjidhej shumë shpejt, duhej të dërgoja dokumentet në Ministri. Pas këtij komunikimi, edhe nga Ministria pata një telefonatë ku më vunë në dijeni se ishte lëshuar një urdhëresë nga Kryeministria që të shihej me përparësi im bir dhe të kryhej ndërhyrja. Takova shefin e kabinetit dhe mora përgjigje pozitive. Por tani kanë kaluar 3 muaj dhe jo më larg se të hënën, kur shkova prapë për tu interesuar, më thanë që të enjten duhet të shkoj prapë, sqaroi Mustafai. Gjatë gjithë bisedës sonë me të atin, Ardiani i vogël përpiqet të kuptojë me sy për çfarë flasim. Kupton çdo gjë dhe është shumë i shkathët. Por mendo, ne nuk e lëmë dot vetëm sepse ai nuk mund të dëgjojë në rrugë as një bori makine, thotë e ëma, Elvana. Këtu lotët nuk i ndalen më. Ne na mbarojnë fjalët e nuk na mbetet veçse të çohemi e ti japim pak optimizëm situatës, shpresojmë që Mustafai të na bëhet krah. Kthejmë kokën nga ai dhe shohim të njëjtët sy të përlotur. Ardiani i vogël qesh dhe na jep një përqafim. Ai është vetëm një nga 20 fëmijët që presin të dëgjojnë tingujt e jetës, në pritje të një aparature.

Rastet
Kemi 2-3 fëmijë shurdhë në 1000 lindje, në një kohë kur lindshmëria totale në Shqipëri kap shifrat 30 000-35 000 lindje në vit. Me një matematikë të thjeshtë arrihet në konkluzionin se në vendin tonë lindin çdo vit rreth 70 fëmijë shurdhë. Kësaj shifre i shtohet edhe ai grup fëmijësh që e humb dëgjimin në muajt apo vitet e para të jetës. Janë rreth 20 fëmijë në pritje për të kryer implantin koklear si të vetmen mundësi të tyre për të pasur një jetë normale. Për fat të keq, një pjesë e tyre janë në limitet kohore të kryerjes me sukses të një programi implantimi koklear.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›