Tregjet ushqimore, luhatje të theksuar çmimesh
29/12/2009 Festat e fundvitit, qytetarët kufizohen në blerjet masive për shkak të çmimeve të larta
Rritja e çmimeve në prag të festave tashmë është shndërruar në një traditë, që rëndon mbi konsumatorët shqiptarë, veçanërisht në ditën e ndërrimit të viteve. Ndonëse në shumë vende të botës ardhja e festave shoqërohet me një ulje të çmimeve si për artikujt ushqimorë, ashtu dhe ato të llojeve të tjera, për shqiptarët kjo gjë është e pamundur. Vëzhgimet e bëra në tregjet e mallrave ushqimore tregojnë një rritje të konsiderueshme të çmimeve krahasuar vetëm me një javë më parë. Më tepër kjo rritje ndihet te produktet tradicionale, që nuk duhet kurrsesi të mungojnë në tavolinën e darkës së ndërrimit të viteve, si gjeli i detit apo bakllavaja. Kështu, përveç rritjes së shfaqur te kategoria e fruta perimeve, të cilat kanë pësuar luhatje të ndjeshme, veçanërisht në ditët e fundit, por edhe te simboli i Vitit të Ri - gjeli i detit, ku një kg kushton rreth 8 mijë lekë. Megjithatë, në pamundësi të sigurimit të gjelit të detit, tregtarët pohojnë se kanë qenë të shumta pulat e shitura, për shkak të çmimit më të lirë.
Luhatjet e çmimeve
Nga vëzhgimet e bëra gjatë dy javëve të fundit në disa nga tregjet më kryesore të kryeqytetit rezulton se luhatshmëria e çmimeve ka vijuar nga 10 deri në 30 lekë për produktet më të zakonshme, ndërsa për produkte të tjera rritja ka vijuar edhe në shifra më të larta. Konkretisht, një kg mandarina kushton 1200-1300 lekë, çmimi i një kg portokall arrin në 1300 lekë, ndërsa një kg mollë kushton nga 11200–1500 lekë e kështu me radhë. Ndërkohë ndryshueshmëria e çmimeve vihet re edhe pranë punonjësve që tregtojnë të njëjtët artikuj që janë në tezgat ngjitur me njëra-tjetrën. Për rastet kur banorët ankohen për çmimin e këtyre produkteve, tregtarët justifikohen me faktin e rritjes së çmimeve edhe nga pikat e shumicës që sigurojnë mallrat e ndryshme nga transporti. Po ashtu të larta raportohet të jenë edhe çmimet e artikujve të tjerë, ku një kg ullinj varion nga 2500 në 4000 lekë, specat rreth 2500 lekë, domatet 1000-1200 lekë në varësi të llojit, kastravecët 2200 -2500 lekë e kështu me radhë. Pavarësisht këtyre rritjeve apo ankesave të bëra nga konsumatorët, tregtarët raportojnë shitje të larta gjatë këtyre ditëve.
Ëmbëlsirat
Rritja e çmimeve është bërë edhe për llojet e ndryshme të ëmbëlsirave. Edhe për këtë vit duket se nuk do të mungojë në tavolina bakllavaja, e cila kushton rreth 5500 lekë kilogrami (për rastet e përgatitura). Megjithatë, shitësit pohojnë se kanë qenë të shumtë konsumatorët që kanë preferuar të blejnë përbërësit për ta gatuar vetë në shtëpitë e tyre. Një tjetër ëmbëlsirë, e cila zëvendëson në njëfarë masa bakllavanë, kadaifi, kushton rreth 2 mijë lekë kg (i papërgatitur) dhe 3000-4000 lekë kg për të përgatiturat. Gjithashtu pastiçeritë tregojnë se kanë qenë të shumta porositë e bëra edhe për lloje të tjera ëmbëlsirash, siç është torta.
Ndryshueshmëria e çmimeve
Pavarësisht rritjes së çmimeve të reflektuara te pjesa dërrmuese e produkteve të konsumit ushqimor, pohohet se blerjet kanë qenë të larta. Megjithatë, ndryshueshmëria e çmimeve vihet re edhe pranë punonjësve që tregtojnë të njëjtët artikuj në tezgat ngjitur me njëra-tjetrën. Për rastet kur banorët ankohen për çmimin e këtyre produkteve, tregtarët justifikohen me faktin e rritjes së çmimeve edhe nga pikat e shumicës që sigurojnë mallrat e ndryshme të importit.
Çmimet për disa nga artikujt
Mandarina 1200-1300 lekë kg
Portokalli 1300 lekë kg
Mollët 1200-1500 lekë kg
Rrushi 2000 lekë kg
Kivi 1500 lekë kg
Domatet 1000-1200 lekë kg
Kastravecët 2400-2600 lekë kg
Sallata jeshile 1500 lekë
Ullinjte 2000-4000 lekë kg
Specat 2500 lekë kg
Patatet 650-800 lekë kg
Frutat e thata 4000-8000 lekë kg (çmimi në varësi të llojit të frutave)
Gjeli i detit 8000 kg
Kadaifi 2000 kg
Bakllavaja 5500 lekë kg
Festimet
Rritja e çmimeve ka kufizuar në blerje jo vetëm familjet me të ardhura nën minimumin jetik, por edhe shtresat e pensionisteve apo kategorive të tjera që trajtohen me ndihmë sociale nga shteti. Kjo mbetet vetëm njëra anë e medaljes, pasi nuk janë të pakta familjet apo grupet e të rinjve që kanë përzgjedhur të rezervojnë lokalet dhe bar-restorantet e ndryshme për të kaluar jashtë natën e ndërrimit të viteve kundrejt një pagese shumë të lartë. Ofertat dhe paketat festive të nxjerra që në fund të muajit të shkuar nga këto subjekte janë përzgjedhur në masë nga qytetarët, të cilët përveç darkës tradicionale duan t’i shtojnë edhe elemente të tjera festive e argëtuese që organizohen nga këto subjekte, veçanërisht për natën e ndërrimit të viteve.