Përmbyten qindra ha tokë, në gatishmëri evakuimi
29/12/2009 Ngrihet grupi ministror prej 5 ministrash. Qeveria gati planin në rast kanosje të banorëve
SHKODER- Reshjet e pandërprera të shiut të rëna prej disa ditësh, deri mesnatën e së dielës, shkrirja e dëborës në male, si dhe shkarkimet nga hidrocentralet, kanë shkaktuar përmbytje të disa qindra hektarëve tokë në fshatra të ndryshme të Shkodrës, duke krijuar një situatë gatishmërie të lartë nga të gjitha strukturat shtetërore.
Përmbytja
Një natë më parë prurjet e shumta ne kaskadën e lumit Drin sollën rritjen në kuota maksimale të ujit në Hidrocentralin e Vaut të Dejës, i cili u detyrua të hapë portat anësore të emergjencës. Në fakt para disa muajsh specialistët e këtij hidrocentrali patën lajmëruar se në rast prurjesh të mëdha do të jenë të detyruar të hapin portat, pasi përndryshe rrezikohet një nga veprat më të rëndësishme hidroenergjetike të vendit. Hapja e këtyre portave gjatë natës shkaktoi vërshimin e ujit dhe përmbytjen gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm të mbi 100 hektarëve tokë në fshatrat Kuç, Vukatanë, Dajç, Bushat, Velipojë, si dhe të një pjese të lagjes Bahçallek në hyrje të qytetit të Shkodrës. Ndërkohë banesat rezultuan pa përmbytje, por rreth 12 banesave u kishte ardhur uji deri tek dera e shtëpisë. Me e rrezikuara duket se ka qenë Xhamia e Plumbit poshtë kalasë Rozafa, e cila është zhytur rreth 1 metër nën ujë. Sipas banorëve të fshatrave të përmbytur, lajmërimi për se do hapen portat u ka shkuar që mbrëmë dhe kanë qenë në gatishmëri tërë natën për të ikur në rast rreziku maksimal. Ditën e djeshme kanë pushuar reshjet dhe portat e hidrocentralit të Vaut të Dejës janë mbyllur, pasi niveli i ujit është normalizuar disi. Aktualisht në H/C e Vaut të Dejës prurjet janë 150 m3/s, niveli liqenit 75.5 metra, ndërkohë që niveli maksimal është 76 metra.
Situata
Ndërkohë në krye të punës për mbajtjen nën kontroll të situatës është vënë Shtabi i Emergjencave Civile të qarkut të Shkodrës nën drejtimin e prefektit Maxhid Cungu. Ky shtab emergjence ka monitoruar moment pas momenti situatën që krijohej nga prurjet e lumenjve Drin dhe Bunë. Për monitorimin e situatës së krijuar në fshatrat që kanë sipërfaqe nën ujë, ka mbërritur në Shkodër vetë Drejtori i Emergjencave Civile të Shqipërisë, Alfred Olli. Shefi i Emergjencave, Olli, ka vëzhguar nga afër të gjitha fshatrat që mendohen se kanë risk për përmbytjen edhe të banesave të rast të prurjeve edhe më të mëdha të ujit nga lumenjtë dhe reshjet, të cilat fatmirësisht ka reshtur së rëni ditën e djeshme. Sipas Ollit, aktualisht situata është nën kontroll, pasi është ulur dhe niveli i ujit në kaskadën e lumit Drin ku ndodhen dhe hidrocentralet më të fuqishme të vendit tonë. Pas ka monitoruar situatën në të gjitha komunat problematike të Shkodrës, shefi i Emergjencave Civile të vendit, Olli është shprehur për mediat: Që nga orët e para të mëngjesit, së bashku me prefektin e Shkodrës, Maxhid Cungu, që është dhe kryetari i Shtabit të Emergjencave Civile për qarkun e Shkodrës, kemi inspektuar shumë zona, të cilat mund t’i konsiderojmë me risk të lartë. Do të informoja që situata tashmë është shumë pozitive. Ajo që doja të informoja është që deri tani nuk kemi pasur asnjë shtëpi banimi të përmbytur që është një moment i rëndësishëm në rast emergjencash. Duhet të kuptohet se ndihma jonë shkon në radhë të parë për familjet në rast përmbytjesh të banesave, pra për mbrojtjen e jetëve njerëzore dhe pastaj për të gjithë aspektet e tjera. “Nga ana tjetër sqaroi se në të gjithë inspektimin e fundit në liqenin e Vaut të Dejës ka një ulje të nivelit të konsiderueshëm që mundëson për të mos bërë takime të nivelit të lartë, të cilat mund të ndikojnë pastaj tek komunat që konsiderohen me risk të lartë, ku bën pjesë komuna e Dajçit e Anës së Malit e Bërdicës.
Masat
Njëkohësisht Olli informoi se të gjitha strukturat e shtetit shqiptar janë pranë banorëve të zonës së Shkodrës. “Dje është ngritur dhe komisioni ndërministror me urdhër të Kryeministrit Berisha i përbërë nga 5 ministra të kabinetit qeveritar dhe i drejtuar nga ministri Basha, që ka zhvilluar mbledhjen në orët e vona të ditës së djeshme. Ky komision ka dhënë detyrat përkatëse dhe janë angazhuar në terren forcat operacionale, ku do të përmendja këtu Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit me trupat speciale, me mjetet logjistike, shtabin e përgjithshëm të forcave të armatosura me mjetet logjistike dhe mbështetje logjistike nga ana e tyre”, vuri në dukje Olli. Ndërkohë Olli vlerësoi dhe punën e Shtabit të Emergjencave të qarkut të Shkodrës nën drejtim e prefektit Cungu, i cili ka qenë gjatë gjithë natës në monitorim të vazhdueshëm të situatës. Gjatë prononcimit të tij për mediat, Olli bëri të ditur se janë marrë masat për një plan evakuimi nëse do të jetë i nevojshëm në rast se do të rriten reshjet, apo shkarkimet e hidrocentraleve. “Deri tani nuk ka nevojë për një plan evakuimi dhe këtë e themi edhe nga inspektimi në terren. Megjithatë, masat janë marrë dhe janë identifikuar të gjitha burimet që ne mund të përdorim nëse do të ketë nevojë për zbatim të një plani evakuimi. Pra, ku do të strehohen si do të transportohen e me radhë. Do të kërkoj që askush të mos bie pre e informacioneve të gabuara që krijojnë panik tek banorët e zonave në risk. Situata është nën kontroll dhe do të vazhdojë të jetë nën kontroll të plotë”, përfundoi prononcimin e tij shefi i Emergjencave Civile të Shqipërisë, Alfred Olli. Ndërkohë në bazë të konstatimeve të deritanishme, liqeni i Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës vijojnë të jenë pranë kuotave maksimale.
PËRMBYTJA
Hapja e portave të kaskadës së Drinit gjatë natës shkaktoi vërshimin e ujit dhe përmbytjen gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm të mbi 100 hektarëve tokë në fshatrat Kuç, Vukatanë, Dajç, Bushat, Velipojë, si dhe të një pjese të lagjes Bahçallek në hyrje të qytetit të Shkodrës. Rreth 12 banesave u kishte ardhur uji deri tek dera e shtëpisë. Me e rrezikuara duket se ka qenë Xhamia e Plumbit poshtë kalasë Rozafa, e cila është zhytur rreth 1 metër nën ujë.
VËZHGIMI
Shefi i emergjencave, Olli, ka vëzhguar nga afër të gjitha fshatrat që mendohen se kanë risk për përmbytjen edhe të banesave të rast të prurjeve edhe më të mëdha të ujit nga lumenjtë dhe reshjet, të cilat fatmirësisht ka reshtur së rëni ditën e djeshme. Sipas Ollit, aktualisht situata është nën kontroll, pasi është ulur dhe niveli i ujit në kaskadën e lumit Drin ku ndodhen dhe hidrocentralet më të fuqishme të vendit tonë.
PLANI
“Deri tani nuk ka nevojë për një plan evakuimi dhe këtë e themi edhe nga inspektimi në terren. Megjithatë, masat janë marrë dhe janë identifikuar të gjitha burimet që ne mund të përdorim nëse do të ketë nevojë për zbatim të një plani evakuimi. Pra, ku do të strehohen si do të transportohen e me radhë. Do të kërkoj që askush të mos bie pre e informacioneve të gabuara që krijojnë panik tek banorët e zonave në risk. Situata është nën kontroll.