E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e trajnerit, gjurmë baruti tek tre dëshmitarë



Etleva Delia

Një raport i ekspertëve të Laboratorit të Kriminalistikës, disa ditë më parë nxori “pa lagur”, Avni Gocën, i cili ishte ndaluar nga policia si i dyshuari kryesor për vrasjen e ish-atletit Hasan Rakipi në Kamëz. I njëjti raport ndërkohë vë “në shënjestër” tre persona të tjerë që besohet se kanë qenë dëshmitarë të krimit e madje fare pranë skenës së vrasjes. Burime të policisë thanë se gjatë ekzaminimeve që janë bërë për këta tre persona të shoqëruar pas vrasjes, është arritur në përfundimin se ata kishin shenja baruti në rrobat e tyre. Këto gjurmë, të quajtura ndryshe në kriminalistike si “faktorë plotësues” mungonin në duart e tre personave çka i përjashtoi ata nga dyshimi se kishin shkrehur armën e krimit. Faktorët plotësues janë konstatuar në trupin e tre personave, të cilët ndodheshin në lokalin e Avni Gocës, me trajnerin Hasan Rakipi pak çaste para vrasjes. Ish-atleti Hasan Rakipi u vra me armë zjarri një javë më parë në Kamëz ku ushtronte aktivitetin e trajnerit të atletikës. Burime nga grupi hetimor shpjeguan se tre personat, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë, do të rimerren në pyetje ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të merren në hetim për “dëshmi të rreme” pasi kur u shoqëruan në polici pas vrasjes, thanë se nuk kishin parë asgjë. Përveçse kanë qenë të ulur në tavolinë me 56-vjeçarin Hasan Rakipi, para se ai të qëllohej për vdekje, ata ndodheshin shumë pranë tij edhe në momentin kur u vra për shkak se baruti i dalë nga tyta e armës është përhapur edhe në rrobat e tyre. Këtë fakt e shpjegojnë faktorët plotësues që janë zbuluar në rrobat që ata mbanin veshur natën e krimit. Ky zbulim rrëzon deklarimet që ata kanë dhënë në polici mbrëmjen e 7 shkurtit, kur u shoqëruan në cilësinë e dëshmitarëve të vrasjes së Hasan Rakipit. Gjatë marrjes në pyetje ata kanë mohuar të kenë parë autorin, të kenë dijeni rreth ngjarjes, madje kanë mohuar edhe faktin që ata ndodheshin pranë Hasan Rakipit. Prania e faktorëve plotësues në rroba sipas policisë tregon se tre personat kanë qenë bashkë me viktimën shumë pranë vendit ku ndodhi vrasja, ndaj nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë identifikuar autorin e krimit. Pronari i lokalit Avni Goga u arrestua pas ngjarjes pasi kur ndodhej i shoqëruar në polici në banesë iu gjet një sasi municioni. Prokuroria refuzoi ngritjen e akuzës për vrasje ndaj tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›