Tregti pa lëvizje të lirë
Marrëveshja për tregti të lirë mes Kosovës dhe Serbisë mund të fillojë së zbatuari më 16 shtator, por jo edhe marrëveshja për lëvizje të lirë të qytetarëve që është arritur në Bruksel më 2 korrik.
Shefja e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë të dielën për Express se ende nuk kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për të mundësuar lëvizjen e qytetarëve me letërnjoftime të Kosovës si dhe qarkullimin e automjeteve me targa KS dhe RKS.
Por ajo nuk e sheh pengesë për heqjen e embargos tregtare nga të dyja palët.
“Ne jemi duke punuar intensivisht që edhe marrëveshja për lëvizjen e lirë të zbatohet shumë shpejt. Por ne nuk shohim që mund të pengohet kjo për shkak se mund të gjinden zgjidhje të ndërmjetme në këtë periudhë të shkurtë derisa të fillojë edhe marrëveshja për lëvizjen e lirë”, ka thënë Tahiri.
Ajo shtoi se grupi për implementimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë është takuar më 5 shtator dhe janë bërë disa përparime.
“Kanë mbetur edhe disa elemente për t’i definuar dhe edhe kjo do të ndodhë shumë shpejt, sepse së pari ne dëshirojmë si palë e Kosovës që të implementohet ajo marrëveshje. Ne kemi vënë theksin se sa është e rëndësishme arritja e një marrëveshjeje, edhe më i rëndësishëm është zbatimi i saj. Në anën tjetër, edhe BE’ja si ndërmjetës zyrtar është shumë e interesuar që të shtyjë procesin e implementimit”, tha Tahiri, duke shtuar se për këtë çështje grupet punuese do të takohen sërish gjatë shtatorit.
Ndërkaq, ajo theksoi se Kosova është e gatshme që këtë javë të fillojë tregtia e lirë mes Serbinë.
“Ne si Qeveri e Kosovës kemi dhënë zotime tona që ne do të jemi të gatshëm më datën 16 shator ta zbatojmë marrëveshjen për tregti të lirë. Për këtë e kemi informuar edhe ndërmjetësin e BE’së dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar si SHBA’në, KFOR’in, EULEX’in, me të cilët edhe e kemi koordinuar planin për implementim”, ka thënë Tahiri.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...