Rexhepi s’i komenton kërcënimet për bllokada

Një ditë pas kërcënimit të serbëve të veriut të Mitrovicës se sërish do të bllokojnë rrugët në veri, pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e policëve kufitarë dhe doganierëve në pikat 1 dhe 31, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi nuk ka dashur të deklarohet për media lidhur me këtë çështje për shkak të “mungesës së kohës”.
I kontaktuar përmes telefonit nga Kosovapress për të marrë një deklaratë se si do të veprojë Policia e Kosovës ndaj bllokadave të paralajmëruara në rrugë nga e serbëve të veriut, ministri Rexhepi nuk është shprehur shumë i disponuar të deklarohet.
“S’kam kohë”, është përgjigjur shkurt ministri Rexhepi, duke mos dashur ta japë as të vetmin koment.
Lidhur me kërcënimet e serbëve të veriut nuk janë prononcuar as zyrtarë tët tjerë të lartë të Qeverisë së Kosovës.
Përfaqësuesit e strukturave paralele serbe në veri dje kanë paralajmëruar protesta të reja në rast se KFOR-i dhe EULEX-i pas 15 shtatorit do të mbështesin vendosjen e doganierëve dhe Policisë Kufitare të Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, ndërsa lidhur me këtë kanë biseduar edhe me ministrin për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Goran Bogdanoviq.
I ashtuquajturi shef i qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, ka kërcënuar se serbët nuk do të lejojnë që në Jarinje dhe Bërnjak të vendosen doganierët e Kosovës.
Kryetari paralel i komunës së Mitrovicës, Krstimir Pantiq, ka thënë se serbët do të bllokojnë të gjitha rrugët magjistrale në veri nëse KFOR-i dhe misioni EULEX vihet në mbështetje të dërgimit të policëve kufitarë dhe doganierëve të Kosovës më 16 shtator në veri.
Kërcënimi i serbëve të veriut për vendosjen e barrikadave vjen pak kohë pasi që serbët të shtunën kanë vendosur dhe larguar barrikadat në disa rrugë në veri, në shenjë proteste ndaj siç janë shprehur, vendosjes së kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se më 16 shtator do të fillojë implementimi i plotë i marrëveshjes mes Kosovës dhe autoriteteve ndërkombëtare për funksionimin e plotë të pikave 1 dhe 31 në veri.
Policia e Kosovës kah fundi i korrikut ndërmori aksion për rivendosjen e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, të cilat që një kohë të gjatë kanë qenë jashtë kontrollit të autoriteteve të Kosovës dhe ku është zhvilluar kontrabanda dhe krimi i organizuar. Gjatë këtij aksioni është vrarë një pjesëtar i njësive speciale të Policisë së Kosovës.