Beteja për kryediplomat
Përgatitjet që Ministria e Jashtme të themelohet sa më shpejt pas shpalljes së pavarësisë i kishte filluar Zyra e Kryeministrit Agim Çeku, në pranverë të vitit 2007, dhe ky proces kishte vazhduar për një kohë, pa u njoftuar të gjitha forcat politike.
Por Zyra amerikane në Prishtinë dhe Ambasadorja Tina Kaidanow janë informuar për këtë nga këshilltarë të ish-Kryeministrit Çeku.
Për të gjitha planet në letër, Kaidanow e kishte informuar Departamentin e Shtetit dhe struktura të tjera të Qeverisë amerikane përmes një kabllogrami, më 7 maj 2007, të cilin WikiLeaks e ka publikuar para disa ditësh.
Anëtarë të ekipi që ishin pjesë e hartimit të planit për ngritjen e Ministrisë së Jashtme e kishin njoftuar Zyrën amerikane se është arritur progres në këtë çështje kryesisht për shkak se puna mbahej “sekret” nga grupe punuese të Ekipit të Unitetit.
Por në ndërkohë, për këtë “proces relativisht jotransparent” siç e cilëson Kaidanow informatat kanë rrjedhur në media dhe pakënaqësinë më të madhe e kishte shprehur Partia Reformiste Ora e Veton Surroit, asokohe në opozitë bashkë me PDK’në e Hashim Thaçit.
Në kabllogram thuhet se po negociohet që MPJ’ja të vendoset në njërën nga ndërtesat e UNMIK’ut në qendër të Prishtinës.
Kaidanow shkruan për betejën politike rreth asaj se ku duhet ta ketë selinë ministria e re e Kosovës, numrin e ambasadave si dhe kush do të bëhet ministri i parë i Jashtëm i Kosovës dhe kush ambasador.
“Ka shumë të ngjarë që ministri dhe shumica e stafit të lartë do të emërohet nga partneri i madh i koalicionit – LDK’ja”, shkruan Kaidanow.
Partia në pushtet, Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh MPJ-në si ministri të veten dhe sipas të gjitha gjasave, kjo parti do të përcaktojë se kush do të bëhet ministër i jashtëm, thuhet tutje në dokumentin e publikuar nga Wikileaksi.
Kaidanow përmend emrat e tre zyrtarëve të LDK’së që janë përcjellë në Zyrën amerikane në Prishtinë, si kandidatët më të mundshëm të kësaj partie për postin e ministrit të jashtëm. Skënder Hyseni, këshilltari kryesor politik i Presidentit Fatmir Sejdiu, Sabri Hamiti, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së, anëtarë i Kryesisë së Parlamentit të Kosovës si dhe kryesues i Komisionit parlamentar për bashkëpunim ndërkombëtar dhe integrim në BE, Lutfi Haziri, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Pushtetit Lokal.
“Emri i Hysenit është përmendur së paku një herë në media si kandidat (për ministër të jashtëm)”, shkruan Kaidanow.
Diplomatja amerikane ka komentuar edhe arsyet për reagimet e Partisë Ora që përgatitjet për themelim të MPJ’së po bëhen fshehtazi. Këtë e ndërlidh me ambiciet e Veton Surroit që të jetë Ministri i parë i Jashtëm i Republikës së Kosovës.
“Është sekret që dihet nga të gjithë që Veton Surroi, kryetar i partisë së vogël Ora, babai i të cilit ka qenë diplomat prominent jugosllav, e sheh veten Ministër të parë të Jashtëm të Kosovës. Kjo mund të sqarojë irritimin e Orës me jotransparencën e përgjithshme të planifikimit nga Zyra e Kryeministrit”, ka komentuar Kaidanow.
Në kohën kur është shkruar ky kabllogram, planifikohej që të hapen 14 ambasada. Në Washington, e cila do të mbulonte edhe Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, Londër, Paris, Berlin, Vjenë, Bernë, Tiranë, Zagreb, Shkup, Podgoricë, Lubjanë. Gjithashtu, planifikohej që në New York të hapej fillimisht një konsullatë që do të mbulonte OKB’në, si dhe një ambasadë në Bruksel që do të mbulonte Komisionin dhe Bashkimin Europian.
Besnik Tahiri, këshilltar politik i Kryeministrit Çeku u kishte thënë zyrtarëve amerikanë në Prishtinë se nuk ka të ngjarë që Rusia dhe Serbia të pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe rrjedhimisht as hapjen e ambasadave në kryeqytetet e tyre. Por ai kishte spekuluar se një lloj zyre ndërlidhëse do të jetë e nevojshme të hapet në Serbi, edhe nëse kjo zyrë do të hapej vetëm për çështje ekonomike.
Zyra e ish-Kryeministrit Çeku kishte hartuar një raport prej 140 faqesh, në të cilin ishte propozuar buxheti për MPJ’në, rrogat për stafin diplomatik, strukturën organizative të Ministrisë si dhe qëllimet e MPJ’së për trembëdhjetë muajt e parë të punës.
Ky raport kishte rrjedhur në mediat kosovare, thuhet në kabllogramin e nënshkruar nga Ambasadorja Kaidanow.