E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmet e 11 shtatorit, goditje ndaj botës demokratike

Nga Express më 11 shtator 2011 në ora 11:01

Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 ishin ndër ngjarjet më tragjike që goditën popullin amerikan, disa nga institucionet e saj dhe mbarë botën demokratike, thuhet në mesazhin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 10-vjetorit të sulmeve në terroriste në SHBA.

“Këto sulme terroriste u drejtuan ndaj vendit më të fuqishëm të demokracisë botërore, simbolit të lirisë dhe shtetit kampion në investimet për paqe, siguri dhe stabilitet në përmasa globale”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Duke përkujtuar se 10 vjet më parë qytetarët dhe institucionet e Kosovës u solidarizuan me SHBA-të, kryeministri Thaçi ka thënë se qytetarët dhe institucionet e Kosovës shprehin besimin e plotë se SHBA-të do të vazhdojnë të jenë përherë në ballë të betejave për mbrojtjen e lirisë, përhapjen e demokracisë, ruajtjen e paqes dhe sigurisë në shkallë botërore.

“Qytetarët e Kosovës gjithmonë u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmesën e dhënë në rrugën e lirisë dhe të ndërtimit të demokracisë së shtetit tonë të ri, të lirë dhe të pavarur”, ka thënë ai.

Për më tepër, kryeministri i Kosovës vlerëson se me sulmet e 11 shtatorit nuk u godit vetëm SHBA-ja, por edhe tërë bota demokratike, me simbolin e kullave binjake, duke bërë që dhembja të merr përmasa botërore, ashtu si dhe solidarizimi me fatin e viktimave tragjike.

“Sulmet e 11 shtatorit zbuluan fuqinë dhe potencialet e pafundme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vizionin dhe vendosmërinë për t’iu kundërvënë së keqes, errësirës dhe atyre forcave që duan ta kthejnë mbrapshtë historinë e kulturës dhe civilizimit. Sot, pas dhjetë vjetësh, SHBA-të po dalin gjithnjë e më të fuqishme përballë forcave të organizuara terroriste, duke dëshmuar epërsinë e pa krahasuar të vlerave të demokracisë e të lirisë, duke përmbysur regjime diktatoriale, duke rritur hapësirën gjeografike dhe politike të shoqërive demokratike”, thuhet në mesazh.

Kosova nderon viktimat e 11 shtatorit në SHBA

Në përkujtim të dhjetëvjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe Shoqata “Miqtë e Amerikës”, sot do të organizojë një ceremoni përkujtimore për të nderuar viktimat e kësaj dite tragjike për SHBA-të dhe krejt botën demokratike.

Në shenjë nderimi për viktimat dhe solidarizimi me të mbijetuarit, familjet dhe kombin e madh amerikan, ftohen qytetarët e Prishtinës, që duke filluar nga ora 19:00 të ndezin qirinj para Teatrit Kombëtar të Kosovës, në qendër të Prishtinës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës fton të gjithë qytetarët e vendit tonë që të bashkohen në solidarizimin dhe nderimin për viktimat e 11 shtatorit, duke riafirmuar frymën e partneritetit dhe respektit të ndërsjellë dhe dënuar sulmet terroriste kundër lirisë, demokracisë dhe botës së përparuar perëndimore.

Më 11 shtator 2001 në SHBA, rreth 3 mijë njerëz humbën jetën tragjikisht nga sulmet e rrjetit terrorist Al Kaida, përfshirë edhe bashkëkombës tanë, kur terroristët rrëmbyen katër aeroplanë të linjave civile ajrore dhe goditën Kullat binjake në Nju Jorku dhe Pentagonin. Aeroplani i katërt u rrëzua në shtetin lindor të Pensilvanisë.

10 vjet nga sulmet terroriste në SHBA

Me një sërë aktivitetesh të ndryshme Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) sot përkujtojnë dhjetëvjetorin e sulmeve terroriste, në të cilat humbën jetën rreth 3.000 persona, ndërkohë që aktivitete të ngjashme do të mbahen edhe në Paris dhe Berlin.

Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, do të vizitojë sot, në përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit, të tri vendet e tragjedisë në Nju Jork, Uashington dhe Shenksvil në Pensilvani.

Në Nju Jork, Obama do të marrë pjesë në ceremoninë së bashku me ish-presidentin e SHBA-ve, Xhorxh Bush.

Si në çdo vit tjetër, me një minutë heshtjeje në ora 8.46, 9.03, 9.59 dhe në 10.28, sipas kohës lokale, do të shënohen momente kur dy aeroplanët goditën Kullat binjake të Qendrës tregtare në Nju Jork, pas të cilës këto kulla u shembën.

Po ashtu, sikur viteve të kaluara do të lexohen emrat e pothuajse 3.000
viktimave, në prani të familjarëve, të cilët janë ftuar të dielën që të marrin pjesë në hapjen e qendrës memoriale “11 shtatori”.

Kjo qendër shtrihet në tre hektarë dhe përbëhet nga dy basene të vendosura në “pikën zero”, vendin ku kanë qenë Kullat binjake, ndërsa aty do të jenë të shkruar emrat e të gjitha viktimave.

Në dhjetëvjetorin e sulmeve terroriste janë paraparë shumë aktivitete në Nju Jork dhe qytetet tjera amerikane, si ekspozita, koncerte në Linkoln dhe sheshin “Tajms” “muri i gjallë” në pjesën jugore të Menhetenit etj.

Në shenjë përkujtimi për sulmet e 11 shtatorit, aktivitete do të mbahen edhe në Paris dhe Berlin.

Në sulmet vetëvrasëse terroriste me aeroplanët e rrëmbyer më 11 shtator kanë humbur jetën 2.752 persona.

Ndërtesa e Pentagonit ishte dëmtuar dukshëm, ndërsa dy kullat e mëdha në lartësi 410 metra në Menheten janë shembur plotësisht.

Për sulmet e 11 shtatorit përgjegjësinë e mori shefi i këtij rrjeti Osama Bin Laden, i cili më vonë është fshehur në Afganistan dhe Pakistan, ku edhe është vrarë nga forcat amerikane.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›