E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS të hapë dyert, askush nuk është i përjashtuar

Gjirokastër- Për Partinë Socialiste, askush nuk duhet të ndihet i përjashtuar. Kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë një takimi të zhvilluar në Gjirokastër, ka kërkuar nga strukturat që të hapin dyert e partisë, pasi, sipas tij, askush nuk duhet të ndihet i përjashtuar. Rama ka deklaruar gjithashtu se kontributi i gjithsecilit për zhvillimet e ardhshme në PS dhe jetën politike të vendit do të ishte i rëndësishëm. I shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së dhe deputetja për Qarkun e Gjirokastrës, Arta Dade, Rama ka mbledhur strukturat në mjediset e selisë rozë Gjirokastër. Takimi ka zgjatur dy orë dhe është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërkohë që Rama nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat. Duke iu referuar burimeve brenda takimit, objekt i diskutimeve ka qenë situata politike në vend. Një vend të rëndësishëm në bashkëbisedimin mes kryesocialistit Rama dhe të pranishmëve në takim ka zënë edhe fitorja në zgjedhjet e 8 majit e koalicionit të majtë në një numër të konsiderueshëm bashkish dhe komunash në Qarkun e Gjirokastrës. Gjatë bashkëbisedimit me socialistët gjirokastritë, Rama ka kërkuar të maksimalizohet pesha e votës, që PS-ja ka fituar për drejtimin e njësive të pushtetit vendor në Gjirokastër. Një theks të veçantë, ai ka vendosur në kolegjialitetin që duhet të tregojë koalicioni i majtë gjatë procesit të konstituimit të këshillave bashkiakë dhe komunarë, duke pasur parasysh që PS-ja ka fituar shumicën në Këshillat Bashkiakë të qyteteve të mëdha të Qarkut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›