Tregtia sektori me i kredituar gjate 2012
Sektori i tregtisë, ndërtimit dhe energjisë elektrike kanë shënuar një ecuri pozitive përsa i përket kreditimit të tyre gjatë muajit shtator. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë huaja prej 2.5 miliardë lekë ka shkuar për sektorin e tregtisë. Ecuri të mirë ka pasur dhe kredia për ndërtimin, që është zgjeruar me 1.3 miliardë lekë, pas një performance të dobët të muajve të mëparshëm. Në rritje me 1 miliardë lekë ka qenë dhe huaja për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike. Në krahasim me fundin e vitit 2011, sektori që ka arritur t’u marrë më shumë kredi bankave në vlerë absolute është sërish tregtia, me huanë që është rritur me 7.5%. Gjithashtu sipas raportit të fundit të stabilitetit financiar të BE financimi për sektorin e ndërtimit është rritur me ritme të ulëta krahasuar me fundin e vitit të kaluar, vetëm me 1,4%. Po kështu edhe kredia për bujqësinë ka rënë në 6%, më I ulët se fundi I vutut 2011. Tregtia zë peshën më të madhe të huasë për biznesin, me 34% të totalit, e ndjekur nga ndërtimi merr rreth 18%. E treta vjen industria përpunuese me 4% në fund të shtatorit 2012. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se totali i kredisë për ekonominë arriti në 557.2 miliardë lekë në fund të muajit shtator, duke shënuar një tendencë rritjeje mujore prej 0.9%, për herë të parë që nga muaji prill i këtij viti.