Reforma ambicioze ne Eurozone per tri vite
Kancelarja gjermane Angela Merkel fton të gjithë liderët europianë të krijojnë një plan ambicioz konkret për të arritur në një integrim më të madh ekonomik dhe financiar në muajin e ardhshëm për tu zbatuar gjatë dy tre viteve të ardhshme. Në fjalën e saj në parlamentin Europian në Bruksel, Merkel ka thënë se vendet në krizë të euros mund të rifitojnë besimin vetëm përmes reformave ekonomike si dhe përmes një plani konkret për një integrim më të thellë.
“Do të punoj për të garantuar një se do të arrijmë në një hap ambicioz në muajin dhjetor për të rinovuar unionin ton ekonomik dhe monetar. Masa konkrete që mund t’i zbatojmë në vitet e ardhshme. Masa për një qeverisje ekonomike siç është survejimi unik bankar efikas. Nëse do të jetë e nevojshme për të përballuar krizën BE nuk duhet të përjashtojë ndryshimet në traktat dhe është e nevojshme të përmirësojmë koordinimin e politikave të bilancit dhe ekonomisë”, tha Merkel.
Liderët europianë do të mblidhen në gjysmën e parë të dhjetorit për të diskutuar ndryshimet në ligjet që do të rregullojnë bilancet e monedhës euro. Merkel ka përcaktuar katër elementë në ndërhyrjen e saj mes të cilave, harmonizimin e rregullimit të tregjeve financiare, një integrim më të madh të politikës fiskale dhe ekonomike, masa për të garantuar një legjitimitet më të madh demokratik për vendimet e marra në nivel europian.
“Jemi duke jetuar një krizë të madhe të euros por rrezikojmë të arrijmë një krizë edhe më të thellë nëse ekonomia europiane nuk do të mundet të rimëkëmbet. Është shumë e rëndësishme të arrijmë një marrëveshje mbi një buxhet shumëvjeçar në takimin e 22 dhe 23 nëntorit. Dhe nëse nuk e arrijmë një gjë të tillë asnjë investitorë nuk do të ketë më siguri dhe ne do t’i japim Evropës një imazh negativ, të përçarë në të gjithë botën”, sqaroi ajo.
Në fjalën e saj përpara eurodeputetëve Merkel ka theksuar se Gjermania do të bëjë gjithcka që BE të mbajë premtimet e veta të lirisë dhe prosperitetit. Kemi nevojë për një Europë globalisht konkurruese, afirmon ajo, duke siguruar se gjermanët nuk harrojnë se zhvillimi fatlum i vendit të tyre nuk mund të jetë i ndarë nga zhvillimi i Europës.