E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregtimi i mishit, Vasili: Ndëshkim subjekteve pa kushte

Nënkryetari i Bashkisë Petrit Vasili, gjatë inspektimit në disa prej këtyre subjekteve u shpreh se, “policia bashkiake ka marrë urdhrin e prerë që të veprohet ndaj të gjithë atyre që kryejnë therje në rrugë, jashtë çdo lloj kushti higjeno- sanitar, në rrezik të plotë të shëndetit publik, po njëkohësisht dhe në mënyrë të shëmtuar".

"Do të bëhet largimi i menjëhershëm me mirëkuptim apo dhe forcërisht sepse kjo lloj shëmtie publike nuk do të tolerohet më", tha ai.  Sipas tij, rreth 18 subjektet që tregtojnë mish janë regjistruar pranë bashkisë për të shlyer të gjitha detyrimet."Janë evidentuar të gjithë aktivitetet, është evidentuar në radhë të parë dhe janë marrë në sitë 76 aktivitetet siç deklaruam më parë, të cilat ishin pa asnjë dokumentacion. Pozitiv ka qenë reagimi i 18 prej tyre që janë regjistruar, për të tjerat javën që vjen do të vazhdojnë të jenë në monitorim të rreptë", tha Vasili.

Aksionet do të vazhdojnë edhe në javët në vazhdim kanë paralajmëruar autoritetet e bashkisë, edhe në zonat më periferike të Tiranës. Dy ditë më parë, bashkia e Tiranës paralajmëroi ndëshkim deri në pezullim të përhershëm të aktivitetit për 74 subjektet që nuk plotësojnë kushtet e tregtimit të mishit, të cilat duke qenë të palicencuara dhe të paregjistruara gjëkundi, kanë operuar në mënyrë abuzive, duke tregtuar edhe në buzë të akseve rrugore. /Start/

                                                                                             2012-08-10 17:15
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›