Tregu i këmbimit valutor u zgjerua me 46 pika të reja në 2024-ën

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Tregu i këmbimit valutor në vendin tonë, u zgjerua edhe me 46 pika të reja gjatë vitit 2024, bëri të ditur Banka e Shqipërisë, në Raportin Vjetor të Mbikëqyrjes.
Sipas BSH-së, në vendin tonë numërohen gjithsej 640 zyra të këmbimit valutor, nga të cilat 303 pika të këmbimit valutor gjenden vetëm në Tiranë, 42 në Durrës ndërsa pjesa tjetër e tyre është e shpërndarë në qytetet e tjera të vendit.
Gjatë vitit 2024, Banka e Shqipërisë ka revokuar licencat e 24 zyrave të këmbimit valutor. Ndërsa në 2023 u revokuan licenca për 14 pika të këmbimit valutor, çka tregon se vitin e kaluar janë hequr 10 licenca më shumë, pjesa më e madhe e të cilave në Tiranë.
Banka e Shqipërisë kryen inspektime të vazhdueshme pranë pikave të këmbimit valutor. Arsyet kryesore të revokimit të licencave kanë të bëjnë me moszbatimin e detyrimeve ligjore dhe rregullatore të parashtruara nga BSH-ja.
/a.f/r.e/