Tregu i lirë i Milanos

Para përfundimit të sezonit në Serie A ka mbetur vetëm edhe një xhiro, por tashmë ka filluar të flitet rreth largimeve nga skuadra të disa prej futbollistëve të rëndësishëm në vitet e fundit. Nga një numër i madh i futbollistëve që do të jenë të lirë nga kjo verë bien në sy një skuadër e tërë, që përbëhet nga lojtarë të dy gjigantëve nga Milano, Inter dhe Milan.
Luca Castellazzi (Inter)
Portieri 36 vjeç është dëshmuar i dobishëm, sa herë që është kërkuar të zëvendësojë Julio Cesarin. Ai është paraqitur në 10 ndeshje në të gjitha garat dhe do të luajë në fundjavë kundër Lazios për shkak të suspendimit të brazilianit. Ndoshta meriton kontratë të re njëvjeçare, sidomos për shkak se përfiton vetëm 1 milion euro në sezon, por shumëçka do të varet nga vendimi rreth Emiliano Vivianos, aktualisht i huazuar te Palermo.
Gianluca Zambrotta (Milan)
Nuk është më ai futbollisti që shkëlqeu në Juventus para se të linte gjurmë edhe me Italinë në Kampionatin botëror 2006. Zambrotta ka luajtur vetëm 942 minuta në Serie A këtë sezon dhe largimi i tij gjatë verës nuk do të jetë befasi. Vështirë se do të mbetet në Milan, ku aktualisht ka pagë prej 3.5 milionë eurosh në vit.
Walter Samuel (Inter)
Ende mbrojtës kualitativ, e që lehtë mund të marrë ofertë të re para qershorit. Samuel ka bërë 33 paraqitje gjatë këtij sezoni, por u mundua nga lëndimet. Argjentinasi është dëshmuar më i sigurt se partneri i tij Lucio. Marrëveshja e tij aktuale, në skadim, vlen 3 milionë euro në sezon.
Alessandro Nesta (Milan)
Ka treguar përvojën e tij në shumë raste këtë sezon, por ka ardhur koha të largohet nga Milani. 36 vjeçari ka paralajmëruar se do të braktisë gjigantin milanez pas dhjetë vitesh në klub. Lëndimet e kanë kufizuar në vetëm 24 paraqitje në të gjitha garat më 2011-12. Nesta spekulohet se mund të transferohet në New York Red Bulls.
Cristian Chivu (Inter)
Chivu tashmë është takuar me drejtuesit e Interit dhe është duke konsideruar propozimin e ri. Por, palët thuhet se kanë mosmarrëveshje rreth aspektit financiar. Klubi i ka ofruar kontratë të re dyvjeçare me vlerë prej dy milionë eurosh në vit, zbritje e konsiderueshme nga 3.5 sa përfiton aktualisht. 31 vjeçari Chivu ka bërë vetëm 14 paraqitje në Serie A këtë edicion.
Mark van Bommel (Milan)
Mesfushori defensiv, ose do të mbetet edhe një sezon në Milan ose do të kthehet në Holandë te ish klubi i tij PSV Eindhoven. I transferuar nga Bayern Munich në janar 2011, ai u shfaq i dobishëm në sezonin e parë në San Siro, kurse ka luajtur rol të rëndësishëm në skuadër edhe gjatë këtij edicioni.
Gennaro Gattuso (Milan)
Në kontratë me vlerë prej 4 milionë eurosh në sezon deri në qershor, Gattuso ka kaluar një vit të vështirë. Pas lëndimit të rëndë në sy në fillim të shtatorit, ai bëri vetëm gjashtë paraqitje. Pavarësisht se ka shpirt luftarak dhe besnikëri ndaj klubit, Gattuso do ta ketë vështirë të gjejë hapësirë për lojë në edicionin e ardhshëm, kuptohet nëse nënshkruan kontratë të re me Milanin.
Massimo Ambrosini (Milan)
Kapiteni i ekipit, i cili nënshkroi kontratë të re njëvjeçare vetën e kaluar, synon të bëjë të njëjtën gjë edhe këtë vit. Por, mbetet të shihet nëse drejtuesit e klubit do të vendosin ta mbajnë atë me pagën aktuale prej 3 milionë eurosh në vit. 34 vjeçari ka shënuar një gol në 22 paraqitje në Serie A këtë edicion.
Mathieu Flamini (Milan)
E pabesueshme, por e vërtetë. Vetëm Zlatan Ibrahimoviç përfiton më tepër se Flamini, i cili në San Siro ka pagë prej 4.5 milionë eurosh në vit. 28 vjeçari erdhi në Milan si futbollist i lirë nga Arsenali, kurse tani mund të braktisë Rossonerët me status të njëjtë. Ai ka bërë vetëm një paraqitje këtë edicion për shkak të një lëndimi që pësoi në verën e shkuar.
Clarence Seedorf (Milan)
Mesfushor me klasë, i cili i shërbeu Milanit nga viti 2002, kur erdhi nga rivali i qytetit Inter. Por, në moshën 36 vjeç nuk i ka të garantuara paraqitjet e vazhdueshme siç do të dëshironte. Holandezi spekulohet me transferim në futbollin brazilian. Ai ka shënuar tri gola në 28 ndeshje këtë sezon.
Pippo Inzaghi (Milan)
Ishte afër largimit nga klubi në janar, kur Siena i bëri ofertë. Tani mbetet të shihet se çka parasheh e ardhmja. Me vetëm 57 minuta lojë në Serie A këtë sezon, Inzaghi, 38 vjeç, vazhdon të jetë idhull i tifozëve në San Siro, por nuk zë vend në planet e trajnerit Allegri.
Të tjerë:
Futbollistë të tjerë nga Milano që do të jenë të lirë nga qershori: Flavio Roma (Milan), Mario Yepes (Milan), Ivan Cordoba (Inter), Massimo Oddo (Milan, i huazuar te Lecce).