E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja, ëndrra trevjeçare pritet të marrë jetë

Nga Julian Kasapi

Verdhejeshilët janë pranë kalimit direkt në superligë, por u duhet të fitojnë me më shumë se dy gola diferencë ndaj Kukësit rival

Në qytetin e Lushnjës tifozëria e zjarrtë e futbollit po jeton një ëndërr, që ka tre vjet që zgjat. Pas fitores së fundit të arritur në fushën e Velipojës dhe barazimit të Kukësit me Luftëtarin, kalimi në superligë është më pranë se kurrë. Sezoni nuk nisi mirë për verdhejeshilët (vetëm 6 pikë në 7 ndeshjet e para, nën drejtimin e trajnerit Ramadan Baballëku), për të cilët u desh të vinte në krye të skuadrës Sajmir Malko, që ajo të merrte jetë.

Edhe nëse Lushnja nuk arrin të ngjitet direkt në superligë, ky trajner ka meritat kryesore për ecurinë e saj dhe mund të quhet me plot gojën sezoni i Malkos. Arsyeja është e thjeshtë: ai e mori skuadrën në vend të parafundit dhe tani pretendon ta nxjerrë në vend të dytë.

Numri 1 i stolit lushnjar ka bërë një punë të madhe, ashtu si dhe futbollistët, të cilët kanë derdhur shumë djersë gjatë kampionatit, pasi askush nuk u ka falur asgjë.Në drejtimin e trajnerit Malko dhe stafit të tij, Lushnja ka marrë 18 fitore dhe 3 barazime, ndërkohë që ka pësuar 3 humbje, pa llogaritur ndeshjen e fundit me Kukësin.

Masat Klubi i Lushnjës është duke marrë masat e duhura për takimin e së shtunës, kur nuk do të mungojë festa. Masat kanë nisur me grumbullimin e skuadrës në ambientet e hotelit Eldon Park që dje pasdite. Skuadra është grumbulluar që sot (dje) në një prej hoteleve më të mira në qytet.

Duam që futbollistët të jenë sa më korrektë me regjimin dhe të qëndrojnë larg problemeve, të paktën deri një orë para takimit të ditës së shtunë, – ka thënë për Sportin shqiptar sekretari i klubit, Judmir Shurdhi, i cili fton tifozërinë lushnjare që të marrë pjesë në spektakël, duke treguar qytetari dhe kulturë:

I bëj thirrje tifozërisë sonë që të jetë në nivelin e duhur dhe ta mbështesë ashtu si duhet skuadrën, me qëllim që ajo të ngjitet në superiore. Ky ishte qëllimi i këtij sezoni dhe besoj se do ta arrijmë, –  ka përfunduar sekretari Shurdhi.

Lushnja-Kukësi transmetohet në Supersport

Ndeshja më e rëndësishme e javës së fundit të kategorisë së parë, Lushnja-Kukësi, do të transmetohet në platformën Supersport. Këtë lajm e bëjnë të ditur burime zyrtare pranë kësaj platforme. Do të jetë java e dytë radhazi, që transmetohet një ndeshje e kategorisë së parë, pas asaj mes Kukësit dhe Luftëtarit.

Kështu, dashamirësit e dy skuadrave, Lushnjës dhe Kukësit, do të kenë mundësinë ta shohin direkt në televizor sfidën më interesante të javës, që vendos se kush do të kalojë direkt në superligë dhe kush do të luajë në play-off.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›