Tregu i ndërtimit, rriten çmimet e produkteve
Vështirësohet tregu i ndërtimit. Agjentët imobiliarë nuk parashikojnë transaksione për këtë fundvit. Psikologjia e krizës do të mbajë në stanjacion edhe këtë vit tregun e ndërtimit sipas tyre. Ata nuk shpresojnë më as nga ardhja e emigrantëve. Ndërsa sipas ndërtueseve, në këtë fundvit gjendja e shitjes së apartamenteve vazhdon të jetë në të njëjtin nivel, duke pasur dëshirë për të blerë, por që nuk blejnë. Për të nxitur interesin e qytetarëve për të blerë banesa, firmat e ndërtimit po orientojnë investimet e tyre drejt komplekseve të mëdha të banimit, të cilat të ofrojnë gjithçka për familjet. Në faktorët që kanë ndikuar në mbetjen pezull të këtij tregu ndikojnë edhe çmimet e larta të mallrave të ndërtimit që ndikojnë në koston e apartamenteve. Kështu, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, në tremujorin e tretë 2011, indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti 100.1 për qind, duke shënuar një rritje prej 0.3 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010, indeksi i Kushtimit në Ndërtim ka shënuar një rritje me 0.4 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 0.47 për qind.