OBT: Mallrat false, 8 % të tregtisë botërore
Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë, mallrat e kopjuara arrijnë të zënë rreth 8% të tregtisë botërore. Në ditën kundër produkteve të kopjuara, Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë ka bërë të ditur se vlera e produkteve të falsifikuara në vitin 2009 arrinte në 250 miliardë dollarë në nivel global. Vetëm në tregun fqinj, Itali, vlerësimi i produkteve të falsifikuara luhatet mes 3,5 deri në 7 miliardë euro për vitin e kaluar. Vlerë e njëjtë me atë të vitit 2008, pa llogaritur pjesën e tregut fals që del nga Italia drejt tregjeve të tjera. Veshje e aksesorë, CD e DVD, ushqime e cigare, por edhe produkte farmaceutike e lodra janë produktet më të falsifikuara. Sipas studimeve të bëra nga organizatat ndërkombëtare, “made in China” mbetet burimi kryesor në nivel global i produkteve të falsifikuara, ndërsa me “shpërthimin” e shitjeve on-line fenomeni është zgjeruar në mënyrë paralele. Shifrat e fenomenit janë vënë në dukje nga analizat e Konfindustrisë italiane në rastin e Ditës Kombëtare kundër Produkteve False. Efekti i tregtisë false është i gjerë. Sipas vlerësimeve të bëra nga Qendra e Studimeve e Investimeve, vetëm në tregun italian lufta kundër produkteve false do të siguronte rreth 130 mijë vende pune shtesë, ndërkohë që nëse do të vinte në tregun e ligjshëm, vlera e produkteve false (7 miliardë euro) do të gjenerohej në një prodhim shtesë, të drejtpërdrejtë e të tërthortë për një vlerë prej rreth 18 miliardë eurosh dhe një vlerë shtesë të përgjithshme prej rreth 6 miliardë eurosh. Falsifikimi dhe shkelja e të drejtave të pronësisë intelektuale po përbëjnë një kërcënim të madh për sistemin ekonomik e prodhues, me një theks të madh në tregun italian. Pikërisht për këtë, organizatat italiane kanë kërkuar që në mënyrë urgjente të merren masa efektive për të luftuar këtë “sëmundje” që prej vitesh po rritet në treg. Ekspertë të ekonomisë theksojnë se falsifikimi ndikon edhe në uljen e besimit dhe imazhin e një ekonomie, por edhe në konkurrueshmërinë industriale, aftësinë për të tërhequr investime, veçanërisht në sektorët inovativë.