E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjerimi i hapesires se lire per bizneset prioritet i qeverise edhe vitin e ardhshem

Edhe vitin e ardhshëm qeveria do të fokusohet në zgjerimin gjithnjë e më shumë të hapësirës së lirisë për bizneset dhe ekonominë.

Në mbledhjen e fundit të qeverisë Kryeministri u kërkoi ministrave të shqyrtojnë qëndrimet e agjencive që varen prej tyre, mbi lejet e licencat, zvarritjen dhe burokracinë e tyre, si dhe të paraqesin listën e autorizimeve që lëshojnë drejtoritë e tyre, drejtoritë rajonale dhe agjencitë që varen prej tyre, për t’i shqyrtuar dhe parë mundësinë e thjeshtimit të tyre.
Sipas Kryeministrit, kjo do të mundësojë lehtësimin e barrës mbi biznesin, gjë që ka rëndësi të jashtëzakonshme për forcimin e ekonomisë shqiptare.
Këtë çështje Kryeministri e shtroi edhe në Konferencën e parë kombëtare “E ardhmja e Industrisë Fason në Shqipëri”, organizuar nga Dhoma shqiptare e Fasonistëve.
Kryeministri Berisha vlerësoi se industria fason është e një rëndësie parësore në vend, zëri kryesor i eksporteve dhe industria kryesore e punësimit.
Duke i garantuar për mbështetjen e plotë nga ana e qeverisë, Kryeministri Berisha u shpreh se “jemi të gatshëm të shqyrtojmë mundësi për masa të tjera, të cilat do të lehtësojnë barrën, do të rrisin kompaktivitetin, do mund t’ju ndihmojnë ju për mbylljen e cikleve dhe për garantimin e tregjeve”.
Gjithashtu Kryeministri theksoi mbështetjen ndaj biznesit edhe në ceremoninë e përurimit të qendrës One Stop Shop për materialet e ndërtimit, në rrugën Sukth - Durrës, investim i kompanisë greke SIDERAL, pjesë e grupit SIDENOR.
Kryeministri theksoi se industria e ndërtimit dhe ndërtimi në tërësi janë dhe do të mbeten se paku dhe për dy dekada promotori kryesor i zhvillimit të Shqipërisë.
Kryeministri garantoi se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për mbrojtjen, garantimin dhe nxitjen e zgjerimit të biznesit të kësaj kompanie në Shqipëri, si dhe të të gjitha investimeve të tjera greke në vendin tonë.
"Do të bëjmë gjithçka që investimet tuaja të jenë një histori e vërtetë suksesi për ju dhe vendin tim", u shpreh Kryeministri.
Në lidhje me krijijmin e klimës më të mirë për bizneset dhe investitorët, disa indekse në këtë aspekt tregojnë se ka progres. Ndërkohë që në botë investimet e huaja direkte për periudhën 2007-2010 u zvogëluan me 37 për qind, në Shqipëri, investimet e huaja direkte për periudhën 2006-2010 u rritën me 316 për qind.
Eksportet në vend për periudhën 2006-2011 u rritën me 300 për qind dhe Shqipëria nuk njohu recesionin ekonomik, megjithëse vendi u përball me pasojat e krizës ekonomike globale dhe europiane.
Liritë ekonomike në botë vitin e kaluar u ngadalësuan, ndërsa në Shqipëri u rritën me 16 për qind. Qeveria shqiptare ka vendosur një nga sistemet më barrën më të ulët fiskale në Europë dhe më gjerë. Taksa e sheshtë prej 10 për qind, kontributet e sigurimeve shoqërore prej 15 për qind, heqja e shumë tarifave, kanë bërë që edhe sipas studimeve serioze, qeveria shqiptare t'i përkasë grupit të 10 vendeve me ndërhyrjen më të vogël të qeverisë në ekonomi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›