Kompania që do marrë me koncesion Rrugën e Kombit do ndërtojë edhe korsi shtesë
Pasi kanë paguar më shumë se 1.2 miliard euro për një rrugë, shqiptarët duket se do paguajnë tani shuma të majme edhe për të kaluar mbi të. Në fakt rruga nuk mbaroi kurrë, segmente të saj para Rrëshenit dhe pas tunelit vijojnë të jenë me dy korsi dhe me një cilësi shumë të dobët punimesh.
Tani kompania që do marrë me koncesion Rrugën e Kombit, nuk do merret vetëm me mirëmbajtjen, por do ndërtojë edhe dy korsi të tjera në segmentin e parë të autostradës, prej Fushë- Milotit deri në Rrëshen, të cilat kanë mbetur pa ndërtuar, raporton Shqiptarja. Diçka e tillë do e rrisë ndjeshëm tarifën që do paguajnë qytetarët që kalojnë mbi rrugë. Qeveria nuk e ka marrë mundimin të sqarojë qytetarët për diçka të tillë, edhe pse në atë mbledhje qeverie Berisha foli për gjithçka. Qytetarët shqiptarë kanë paguar disa herë për këtë rrugë, përfshi pagesat fillestare, interesat e borxheve për të ndërtuar rrugën dhe tani tarifat e koncesionit. Mbetet për tu parë se cila do jetë marrëveshja që do nënshkruhet me kompaninë që do ndërtojë edhe dy korsitë. Banorët e njërës prej zonave më të varfra në vend, ku kalon kjo rrugë, dhanë një votë masive kundër qeverisë në zgjedhjet lokale. Tani që mbi xhepat e varfër tyre do rëndojë edhe kjo tarifë, pakënaqësia do shtohet.